Kryeministri Haradinaj: Duam të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën

Aktuale

Kryeministri Haradinaj: Duam të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 21:45
Kryeministri Haradinaj

“Vendi ynë gjendet në shumë sfida, shumica prej të cilave kanë qenë të pashmangashme, por po përballemi me këto sfida. Unë jam i gëzuar që në vendin tonë jetojnë bashkë, shqiptarë, serbë e komunitete tjera, dëshirojmë që rajoni ynë të jetë i qetë dhe dëshirojmë që të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën”, kështu tha kryeminstri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij gjatë pjesëmarrjes në Gala Mbrëmjen e organizuar nga Fondi Kosovar - Amerikan për Edukim (KAEF), për nder të ndarjes së bursës së 100-të, fondacion ky që ka për mision pajisjen e liderëve të së ardhmes në Kosovë, me shkathtësitë dhe veçoritë të cilat i bëjnë ata udhëheqës të denjë për një të ardhme edhe më të mirë.

Kryeministri Haradinaj, tha se është i kënaqur që sot është bashkë me ta për një projekt, më të rëndësishmin ndoshta në zhillimet e vendit, por jo vetëm të tashmes, por edhe të asaj që vije në të ardhmen.

Duke i përshendetur të pranishmit, nikoqirët, dhe KAEF-in për kontributin e tij, theksoi se sot ndihet keq pse nuk marrin më shumë nga ta, për atë që i vynë Kosovës, por shtoi se, do të gjendet  formula që të marrin më shumë nga ta.

“Njëkohësisht kam dëshirë që Qeveria dhe populli i Kosovës ta përkrahë këtë projekt. Ju siguroj se nuk ka investim më të qëndrueshëm, e më të mençur se sa ky investim. Ne do ta vazhdojmë këtë projekt bashkë, do t’i gjejmë mënyrat, që ta përkrahim, që të gjejmë shumë si ju dhe se gjithë këtë ekspretizë që SHBA-ja e ka, ta bartim edhe  në Kosovë, të bartet përmes tyre”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.

Ndërkaq, themeluesi i KAEF, Dale B.Pfiffer, duke kujtuar idenë se si erdhi deri tek investimi në Kosovë përmes KAEF, tha se ideja ishte që ta ndihmojë Kosovën të përgatitet për të ardhmen e vetë, si një shtet i pavarur, me nevoja për liderë të vetë dhe shkathtësi te reja, duke treguar se ndihet krenar për mënyrën se si deri tani ka funksionuar KAEF, një projekt shumë i shtrenjtë, por që është bërë i konkurrueshëm.

Një fjalë rasti në këtë mbrëmje e patën edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga,  dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndërkaq të pranishëm në këtë Gala Mbrëmje ishin edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi,  përfaqësues të tjerë e bursistë.

Në fund të ceremonisë janë shpërndarë mirënjohje për themeluesin e KAEF, Dale B. Pfleiffer dhe disa bizneseve vendore dhe ndërkombëtare për ndihmën dhënë kësaj organizate.

KAEF deri tash ka mbështetur mbi 95 studentë kosovarë për studimet master në universitete të ndryshme amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat