Kërkohet dorëheqja e Shpend Ahmetit

Aktuale

Kërkohet dorëheqja e Shpend Ahmetit

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 22:48
Shpend Ahmeti

Detyra që Shpend Ahmeti po dëshiron t’ia japë vetes si kryenegociator nga opozita në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po shihet si e dëmshme për Prishtinën, komunën që ai udhëheq.

Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate, është deklaruar i gatshëm të marrë përgjegjësinë si përfaqësues i opozitës në bashkudhëheqjen e ekipit negociator, në rast të mungesës së LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Prioritet i tij për këta muaj mbetet udhëheqja me Prishtinën, që, siç thotë, derisa të arrihet marrëveshja me Serbinë, do t’i mbajë të dyja.

“Po flasim për një proces i cili është më i rëndësishmi për shtetësinë e Kosovës dhe mendoj që është i rëndësishëm imputi i të gjithëve. Nëse zgjat më shumë, atëherë e rimendojmë”, tha Ahmeti në Rubikon. 

Ahmeti dikur kritikonte Isa Mustafën sa ishte kryetar i Prishtinës, se po merrej me çështje të nivelit qendror, duke anashkaluar kështu komunën. Ndërsa, opozita thotë se ai tash vetë është duke e bërë një gjë të tillë.

Dëshirën e Shpend Ahmetit për të qenë pjesë e dialogut Kosovë - Serbi, ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e quan ambicie të sëmurë për të bërë karrierë. Derisa, zyrtarë të saj e krahasojnë me presidentin Hashim Thaçi.

"Me largimin nga Vetëvendosje e ka kapur një ambicie e sëmurë e karrierizmit, ku, për një kohë kaq të shkurtër, dëshiron që shumë pozita t'i mbajë. Është bërë kryetar i një partie përderisa ka qenë edhe kryetar i Prishtinës, tash dëshiron që të bëhet pjesë edhe e koalicionit qeverisës në koalicion, jo si opozitë, pasi ai tash e një kohë veç po ju shërben me politika qeverisëse pozitës dhe jo opozitës. Mirëpo, këto ambicie kaq të sëmura i ka pasur vetëm Hashim Thaçi derisa ka ardhur në pushtet, është bërë kryeministër, ka marrë dialogun", ka thënë Eman Rrahmani, asamblist i LVV-së, Prishtinë.

Rrahmani thotë se kjo situatë i intensifikon përpjekjet e LVV-së për të kërkuar që Ahmeti të japë dorëheqje.

"Kjo veç se e shton edhe angazhimin tonë për të kërkuar që të dorëhiqet ose për të shikuar mundësinë e organizimeve të ndryshme për ta larguar sa më shpejt një qeverisje të tillë kaq të dëmshme për qytetarët e Prishtinës", ka thënë ai.
Rrahmani thotë se, nëse Ahmeti vazhdon me këtë ambicie, qytetarët duhet të mobilizohen me peticione dhe protesta ta largojnë atë nga pozita e kryetarit.
Asamblisti i Vetëvendosjes deklaron se organizimi i mundshëm i protestave kundër Ahmetit ende nuk është diskutuar në organet e partisë.

Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) thonë se mbajtja e dy pozitave është shumë e vështirë për Ahmetin.

Kjo parti opozitare vlerëson se ai është ngopur me qeverisjen e kryeqytetit dhe po dëshiron që, përmes dialogut në Bruksel, të gjejë një rrugëdalje.

"Si duket, Shpend Ahmeti është ngopur me Prishtinën, e ka parë që nuk mund të bëjë asgjë më shumë dhe ndoshta kërkon një rrugëdalje, sepse, përndryshe, të jetë kryetar i kryeqytetit dhe të merret me çështje tjera që janë punë që kërkojnë udhëtim, mund, është tepër e vështirë". “Dorëheqja e Shpend Ahmetit është shpëtim për Prishtinën. LDK-ja është e gatshme të hyjë në garë për kryetar të komunës. Nëse vjen deri te zgjedhjet e reja LDK-ja është e gatshme që ta fitojë Prishtinën”, ka thënë Shefki Gashi, asamblist i LDK-së, Prishtinë.

Dorëheqjen, Ahmetit po ia kërkojnë edhe njohësit e zhvillimeve në kryeqytet, pasi vlerësojnë se situata në komunë vetëm se po shkon duke u përkeqësuar.

"Ai ka marrë votat e qytetarëve dhe, ndonëse është akuzuar nga shumë votues të tij për tradhti, tash po na del edhe kjo risia tjetër e cila po e dërgon atë në krye të ekipit negociator. Situata po shkon duke u rënduar dhe Ahmeti duhet ta marrë një vendim sa më parë në parim që ta lërë komunën", ka thënë Salie Gajtani – Osmankaq.

Gajtani - Osmankaq thotë se gatishmëria e Ahmetit për t'u bërë kryenegociator në kohën kur komuna po përballet me probleme të shumta, vë në dyshim punën e tij për kryeqytetin.

"Në një kohë kur këto telashe janë kaq të mëdha në komunë, Ahmeti të pranojë që të bëhet kryenegociator me Serbinë, vërtetë vë në pikëpyetje shumë pozitën e tij dhe punën që do të mund ta bëjë në komunë. Edhe unë jam shumë skeptike nëse do të mund t’i mbajë të dy pozitat, ndonëse Ahmeti nuk është bërë kryetar komune për t'u bërë edhe kryenegociator", ka thënë ai.

Ligji për Delegacionin Shtetëror i cili do t’i udhëheqë negociatat me Serbinë, tashmë është draftuar dhe një marrëveshje e tillë është bërë mes PSD-së, Nismës dhe Alternativës. Kjo marrëveshje tani pret votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat