Remi shkon në Speciale në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte

Aktuale

Remi shkon në Speciale në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 12:56
Rrustem Mustafa

Gjykata Speciale po e heton ish-Komandantin e Zonës Operative të Llapit nën dyshimin për krime të luftës e të pasluftës.

Ish-udhëheqësi i UÇK’së është ftuar të dëshmojë në cilësinë e të dyshuarit.

Hetimet ndaj tij i ka konfirmuar avokati Arianit Koci, i cili ka lëshuar një njoftim se Remi do të shkojë në Hagë më 14 janar të vitit të ardhshëm.

“Kjo është ftesë për intervistim. Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”, kishte njoftuar Koci.

Edhe sot, anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa tha se do të dalë faqebardhë pavarësisht pretendimeve të Speciales.

Mohoi se gjatë luftës UÇK ka kryer krime lufte.

“Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”, ka shkruar komandant Remi sot në Facebook.

Ky ish-udhëheqës i luftës ka bërë thirrje Speciales të ndjek edhe krimet ekonomike, krimet në institucione, universitet e gjykata.

E komandant Remi nuk është i vetmi që Zyra e Prokurorit të Specializuar  e ka ftuar për intervistim. Janë të paktën edhe tre pjesëtarë të UÇK’së.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK’ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schëendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për tu ngritur.

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Këai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjedh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE dhe  udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX’it. /express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat