Tahiri: Zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta - Bota Sot
Tahiri: Zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta

Aktuale

Tahiri: Zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 15:20
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në nisjen e “Javës kundër Korrupsionit”, ka thënë se të gjithë zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një mesazhi me rastin e nisjes së “Javës kundër Korrupsionit”, ka ritheksuar përkushtimin e tij për të vazhduar jo vetëm në luftimin e korrupsionit, por edhe në masat konkrete për parandalimin e tij, shkruan lajmi.net.

Mesazhi i plotë i ministrit Tahiri:

Sot nis “Java Kundër Korrupsionit. Lufta kundër kësaj dukurie, ka qenë një aktivitet i vazhdueshëm një vjeçar i politikave të mia si Ministër i Drejtësisë.

Hartimi nga Ministria e Drejtësisë si dhe miratimi nga Parlamenti i Republikës së Kosovës i Kodit Penal, Ligjit për konfiskimin e Pasurisë së  Paligjshme, Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizueseve,  kanë mundësuar ri-përcaktimin e veprave penale të korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, mashtrimin në detyrë,  keqpërdorimin në prokurimin publik, duke i dhënë një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare.

Zyrtarët e korruptuar do të përballen me dënime të larta, ndërsa pos ndjekjes penale, për këto vepra do të zbatohet edhe konfiskimi i pasurisë.

Për të pamundësuar abuzimin me detyra zyrtare, kemi punuar edhe në ndalimin njëherë e përgjithmonë të pozitave të shumta dhe përfitimit të shumëfishtë nga ushtrimi i funksioneve nëpër komisione e borde e ndërmarrje të ndryshme.

Megjithatë, betejën politike dhe institucionale kundër kësaj dukurie nuk duhet ta shohim vetëm si thirrje të jashtme për të përmbushur standardet evropiane, por duhet ta kemi prioritet nacional dhe nevoje të brendshme  dhe të domosdoshme, për të rrënuar idenë e abuzimit me institucionet publike.

Zbatimi sa më i efikas i ligjeve të miratuara nga mekanizmat ligj zbatues sot përbën një detyrë primare për shtetin e Kosovës, me synim që të prodhohen efekte sa më të shpejta në këtë përpjekje.

Në funksion të këtij qëllimi, Ministria e Drejtësisë ka lansuar edhe agjendën “Drejtësia 2020”, me që rast krijimi i kushteve sa më të domosdoshme për zbatimin e ligjeve të miratuara, do të jetë njëra nga shtyllat kruciale të reformave të gjithanshme institucionale që kemi ndërmarr në sferën e sundimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat