“Nuk e kemi mbështetjen vetëm të Amerikës për Ushtrinë”

Aktuale

“Nuk e kemi mbështetjen vetëm të Amerikës për Ushtrinë”

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 00:30
Bilall Sherifi

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të mirëfilltë të vendit.

Sherifi ka thënë se “tanimë nuk ka dilemë” që Kosova do të bëhet me ushtri të premten.

“Të premten deputetët janë ftuar në seancë të rregullt, në orën 10, ku do të votohen tri ligjet, përmes së cilave FSK’ja merr kompetencat që ka çdo ushtri në çdo vend sovran”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se Kosovës do t’i mjaftonte vetëm mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për themelimin e ushtrisë së Kosovës, por ka theksuar se “s’është vetëm SHBA’ja që na mbështet në transformimin e FSK’së në trupë të rregullt ushtarake”.

“Vende të BE’së, të NATO’s, janë në favor të kalimit të këtyre tri ligjeve që prekin statusin e FSK’së, të Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë Sherifi.

Sherifi ka thënë se nuk i ka parë me shqetësim deklaratat e shefit të NATO’s, Jens Stoltenberg, se Kosova po nxitohet me formimin e ushtrisë.

“Aleanca e NATO’s ka për detyrë të ruajë balancat”, është shprehur ai.

“Askush, as sekretari i NATO’s, as shtetet veç e veç, nuk kanë thënë që do të shqyrtohet mundësia e tërheqjes së NATO’s, KFOR’it, nga Kosova”, ka deklaruar Sherifi.

Ai ka theksuar se NATO ka paralajmëruar vetëm rishqyrtimin e nivelit të angazhimit të saj në Kosovë.

Sipas Sherifit, NATO nuk merr veprime ad-hoc, dhe ka qenë e përgatitur, që prej pavarësimit të Kosovës, se shteti do të bëhet një ditë me ushtrinë e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat