Gjermania i kërkon Kosovës heqjen e taksës ndaj Serbisë

Aktuale

Gjermania i kërkon Kosovës heqjen e taksës ndaj Serbisë

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 14:40
Heiko Maas

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkoi sot që Prishtina zyrtare të anulojë, ose të paktën të pezullojë zbatimin e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Kryediplomati gjerman duke folur në Paris në një takim për kufizimin e përhapjes së armëve të vogla nga Ballkani, tha se gjithashtu i vjen keq për dorëheqjet e kryetarëve serbë të komunave veriore.

“Një përshkallëzim i mëtejshëm duhet të parandalohet urgjentisht. Sukseset e dialogut për normalizimin duhet të ruhen”, tha ai, raporton Reuters.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur në muajt e fundit pasi Beogradi bllokoi anëtarësimin e Prishtinës në Interpol.

Autoritetet kosovare javën e shkuar theksuan se nuk do ta tërheqin taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja deri në njohjen nga këto dyja shtete.

Shefi i diplomacisë gjermane theksoi se marrëdhëniet e përmirësuara do të përshpejtonin përpjekjet e Serbisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

“Në vend që të mendojnë për ndryshimin e kufijve, Beogradi dhe Prishtina duhet t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në një marrëveshje të zbatueshme që mbulon të gjitha çështjet e hapura dhe bën të mundur një normalizim gjithëpërfshirës”, tha Maas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat