A janë në listë të Speciales edhe Limaj e Haradinaj, flasin nga partitë e tyre

Aktuale

A janë në listë të Speciales edhe Limaj e Haradinaj, flasin nga partitë e tyre

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 18:38
Gjykata Speciale

Në luftë mbajtën poste të larta, madje Daut Haradinaj e Fatmir Limaj janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, me valën e parë të raportimeve për ftesat që ka dërguar Gjykata Speciale për ta nuk ka ardhur ndonjë thirrje. Të paktën kështu thonë nga partitë e tyre

Në opinion në këtë fund vit veçse kanë filluar të dalin emrat e parë të personave që janë ftuar nga Gjykata Speciale, e siç ka raportuar  Express bëhet fjalë për disa nga fytyrat kyçe të UÇK -së.

Tashmë në opinion është bërë i ditur emri i Rrustem Mustafës, Sokol Dobrunës, Nazif Mehmetit e Sami Lushtakut, ndërkaq emrat e dy ushtarëve të thjeshtë, për të cilat është në dijeni gazeta, nuk janë zbuluar për opinionin.

Por, përveç këtyre emrave, janë edhe shumë të tjerë që po përfliten si persona që mund të ftohen nga Specialja, kjo pasi që në kohë të luftës kanë mbajtur pozita të larta.

Njejtë po thuhet edhe për deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj e të parin e Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj. Megjithatë, nga partitë e të dyve të kontaktuar, po thonë që Limaj e Haradinaj nuk kanë marrë ftesa.

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se nuk kanë ndonjë dëshmi për ftesat eventuale të gjykatës.

“Nuk kemi asnjë informacion lidhur me ftesat eventuale për dëshmi në Gjykatë. Po e shoh që ka spekulime të shumta dhe krejt cka mund të bëjmë është që të mos çojmë mjegull më shumë”, është deklaruar Nitaj.

Partia e kryeministrit patën qenë zëshëm kundër nismës së krijimit të Speciales, e të njejtën e konfirmoi mbrëmë në Pressing në T7 edhe deputeti i kësaj partie Shkumbin Demalijaj. Ai u deklarua se kjo gjykatë jashtë Kosovës nuk ka qenë e nevojshme.

 “Kemi mujt për ato krime të supozume me e pas një Gjykatë brenda Kosovës”, theksoi deputeti i AAK-së.

Ndërkaq, sa i përket asaj se a iu është dërguar ndonjë ftesë zëvendëskryeministrit e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, nga partia e tij thanë se kjo nuk ka ndodhur.

Ministri Endrit Shala është deklaruar se nuk ka ardhur një ftesë e tillë, e për këtë informacion u njoftuan vetëm nga mediat, të njëjtin qëndrim e ka edhe për anëtarët e tjerë të partisë së tij.

Ndërkaq, për gazetën, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ish-zedhënes i UCK'së, tha se nuk do të komentojë këtë temë  pasi që vazhdimisht është shprehur kundër saj.

“Nuk pres diçka ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë gati 20 viteve!”, tha shkurtimisht ai.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat