Çeku e Buja flasin pas aktakuzës së Gjykatës në rastin e “Veteranëve”

Aktuale

Çeku e Buja flasin pas aktakuzës së Gjykatës në rastin e “Veteranëve”

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 14:36
UCK

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzat palëve të përfshira në aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për fryrje të listave të veteranëve, e njohur për publikun si rasti i “Veteranëve”.

Gjatë ditës së djeshme, 12 ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari kanë pranuar aktakuzat e dërguara nga gjykata.

Se e kanë pranuar një aktakuzë të tillë e ka konfirmuar edhe ish-kryetari i e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku.

Çeku ka thënë se janë në pritje të ftesës.

“Po Gjykata Themelore e ka pranuar një aktakuzë nga Prokuroria Speciale të përmirësuar dhe të plotësuar dhe e kemi pranuar. Tash presim ftesën ashtu edhe siç shkojnë këto procedura”, ka deklaruar Çeku 

Edhe Shukri Buja, i cili është në mesin e të pandehurve, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën.

Buja ka thënë  se kjo aktakuzë nuk ka asnjë ndryshim dhe se edhe në këtë aktakuzë thuhet se veteranëve të rrejshëm iu është ndalur pagesa deri në përfundim të gjykimit.

“E kam marrë aktakuzën. Nuk ka ndonjë ndryshim, sidomos ajo pika ku veteranët në thonjëza të rrejshëm që po i quajnë iu janë ndalur përkohësisht pagesa deri në përfundim të gjykimit, është e njëjta nuk ka diçka ndryshime”, ka deklaruar Buja 

Sipas tij, e vetmja risi në këtë aktakuzë është sjellja e listës së komplet ushtarëve.

“Plus na i kanë dërguar listat e komplet ushtarëve. Aktakuza nuk ka shumë apo lista por diku rreth 10-15 kilogramë material”, deklaroi Buja.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  më 14 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat