Shpend Maxhunit i shpërthen edhe një skandal në AKI, arrestohet spiuni qe tetë vjet kundërligjshëm punoi aty

Aktuale

Shpend Maxhunit i shpërthen edhe një skandal në AKI, arrestohet spiuni qe tetë vjet kundërligjshëm punoi aty

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 10:36
AKI

Një 26-vjeçar nga Prishtina kishte arritur që përmes falsifikimit të një dokumenti për tetë vite me radhë ta mashtronte Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Edmond Jetullahu kishte arritur që përmes këtij dokumenti të vetëpunësohej në AKI dhe të siguronte qasje në dokuemnte topsekrete të agjencisë. Prokuroria dyshon se ai ka spiunuar tek autoritete të huaja.

26-vjeçari nga Prishtina, Edmond Jetullahu dyshohet se tetë vjet më parë përpiloi një dokument të falsifikuar, me të cilin u vetë punësua në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Përmes falsifikimit të dokumentit për vite me radhë, Jetullahu dyshohet të ketë siguruar qasje në dokumente topsekrete të AKI-së.

Jetullahu, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve. Lidhur me këto dyshime që rëndojnë mbi 26-vjeçarin nga Prishtina, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur zyrtarisht hetimet të mërkurën.

Insajderi ka siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj Jetullahut, të përpiluar nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi. Në këtë aktvendim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Jetullahu ka kryer tri veprat penale të spiunazhit, falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të rremë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, Prokurori i Shtetit Kujtim Munishi, me pjesëmarrjen e zyrtares ligjore Diora Bajrami, në procesin kundër të dyshuarit Edmond Jetullahu për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: Prezantim i rremë nga neni 417 të KPRK-së, veprën penale Spiunazhi nga neni 131 të KPRK-së dhe veprën penale Falsifikim i dokumentit nga neni 398 të KPRK-së merr aktvendim për fillimin e hetimeve”, thuhet në aktvendim.

Në vitin 2010, Jetullahu dyshohet se kishte përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal. Përmes këtij dokumenti, ai në mënyrë të rreme kishte krijuar marrëdhënie pune me Agjencinë Kosovare të Intelegjencës. Ishte vetëpunësuar si udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit.

“I pandehuri Edmond Jetullahu, me datë 01.12.2010 ka përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal me të cilin kinse e ka themeluar marrëdhënien e punës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës me pozitë Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit”, thuhet në aktvendimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.


Madje përmes kësaj pozite të rrejshme të cilën e kishte “falsifikuar”, 26-vjeçari nga Prishtina dyshohet të ketë krijuar qasje në dokumente dhe të dhëna topsekrete të agjencisë.

“I pandehuri duke u paraqitur si zyrtar i AKI-së, ka mbledhur të dhëna dhe dokumente të klasifikuara duke krijuar qasje në dokumente dhe të dhëna të besueshme”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë për nisjen e hetimeve ndaj Edmond Jetullahut.

Jetullahu nga AKI-ja dyshohet se kishte arritur të merrte të dhënave, të fotokopjonte, të fotografonte, apo të merrte të dhëna nga zyrtarë të tjerë të AKI-së “me qëllim që t’i komunikohen apo t’i dorëzohen shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit i cili u shërben këtyre”
Gjatë tërë kësaj periudhe gati 8 vjeçare, Edmond Jetullahu kishte shfrytëzuar dokumentin e falsifikuar për t’u prezantuar si zyrtar i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në mënyrë të rrejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat