O’Connell tregon pse BE-ja nuk e futi në agjendë sivjet liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale

O’Connell tregon pse BE-ja nuk e futi në agjendë sivjet liberalizimin e vizave për Kosovën

Nga: A.Zh Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 10:34
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruari O’Connell

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruari O’Connell, ka thënë se shteti i tij ka marrëdhënie të mira me Kosovën dhe Serbinë si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

Ai ka thënë se Britania i trajton njëjtë të dyja shtetet në lidhje me çështjen e vizave, derisa ka theksuar se Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë.

Këto komente ambasadori O’Connell i bëri dje në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, ku është pyetur nëse Evropa po shfaqet e e pabarabartë në raportin mes Kosovës dhe Serbisë në aspektin diplomatik, pasi refuzoi vizat, nuk e përkrah ushtrinë dhe territorin e Kosovës e sheh si të negociueshëm.

Por, O’Connell ka thënë se Evropa nuk është kundër Kosovës, duke bërë të ditur që BE-ja është investuesti i dytë më i madh për kokë banori në Kosovë, përcjell Bota sot.

“Unë nuk do të flas në emër të Evropës, por do të flas në emër të Mbretërisë së Bashkuar. Ne i shohim të dy si dy shtetet sovrane, të pavarura, dhe fqinje me njëra-tjetrën dhe ne kemi marrëdhënie të mira me të dyja shtetet. Ne i trajtojmë dy shtetet njëjtë në lidhje me çështjen e vizave, Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë, dhe ju gjithë e keni dëgjuar pozicionin e MB mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por, dua gjithashtu të sulmojë idenë që Evropa është kundër Kosovës. Sinqerisht mendoj se kjo nuk qëndron. Evropa është investuesti i dytë më i madh për kokë banori në Kosovë përmes Komisionit Evropian, krahasuar me cilindo vend në botë”, ka deklaruar ambasadori britanik.

Ai më tej ka thënë se e kupton frustrimin e Kosovës, mirëpo sipas tij, grupi Schengen nuk ia bëri ofertën për liberalizimin e vizave vendit tonë, për shkak që nuk ka dashur që Kosova të dështojë.

O’Connell ka thënë se Kosova është Evropa dhe se kjo nuk mund të kontestohet.

“E kuptoj frustrimin, por oferta për liberalizim të vizave është bërë në baza të vullnetit të mirë, dhe grupi Schengen nuk e ka ofruar këtë vetëm që Kosova të dështojë. E di që mund të jetë frustruese, por ne gjithmonë e kemi pa Kosovën si anëtar i barabartë i familjes demokratike evropiane. Ndonjëherë marrëdhëniet diplomatike luhaten poshtë-lartë, por shteti juaj është në Evropë si çdo vend tjetër, dhe nuk e besoj se kjo mund të kontestohet”, është shprehur ambasadori britanik Ruairi O’Connell./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat