Listat e Zekës për Specialen ku figuron edhe Limaj, flasin nga Nisma

Aktuale

Listat e Zekës për Specialen ku figuron edhe Limaj, flasin nga Nisma

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 12:08
Milaim Zeka

Ishte i pari Milaim Zeka ai që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi kishte publikuar një listë me emra që do të thirreshin nga Gjykata Speciale. Tash, deputeti i Nismës po pohon se ka gjithsej tri lista me emra të krerëve më të lartë të UÇK-së dhe pjesëtarë të LDK-së. Madje, së shpejti, sipas tij ftesa do t’i shkojë edhe shefit të tij, Fatmir Limajt. Por, këto deklarata të Zekës në partinë e tij po thonë se janë vetëm qëndrime të ish-gazetarit e në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë. Limaj, sipas tyre ka përfunduar punën me gjykatat, e ndërkohë Zekës nuk po i del parashikimi që kishte bërë

Ish-gazetari, tash deputet i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka që nga koha kur flitej për Specialen thoshte se kishte siguruar lista me emra të personave që do të thirreshin. Tash, kur veçse kanë filluar të vijnë ftesat për disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, ai po e mbron të njëjtin qëndrim.

Zeka u deklarua se ka informacione se në Kosovë ka ardhur një listë me 100 emra që do të thirren për në Hagë. Sipas deputetit, së shpejti pritet që t’i vijë ftesë edhe kryeparlamentarit, Kadri Veselit.

Gjithashtu sipas Zekës, në listë janë edhe Fatmir Limaj, Daut Haradinaj e Rexhep Selimi.

“Kanë ardh në Kosovë mbi 100 ftesa tash i kam emrat dhe të tregoj në listën fillestare të tregoj cilët kanë qenë dhe cilët janë. Mundesh me më pyt a ka qenë në listë Kadri Veseli. Atij së shpejti do t’i vjen ftesa”, ka deklaruar ai, duke u shprehur se ftesa do të vijnë edhe për ata që dikur qëndronin në krye të listës që kishte publikuar Zeka.

“Ish-kryeministri Agim Ceku, Xhavit Haliti, Azem Syla emrat që nuk kanë dal në opinion po figurojnë në listë”, shtoi ai.

Por, sipas tij janë dy emra që nuk figurojnë në listë për momentin, e që mund të marrin ftesat më vonë.

“Kryeministri Ramush Haradinaj nuk është në listë, i vetmi njeri nga lista që kam publikuar unë nuk figuron është edhe emri i presidentit Thaçi”, ka thënë ai.

Sipas Zekës ftesë do t’i shkojë edhe dy personave nga AAK-ja dhe dy të Vetëvendosjes e siç është deklaruar ai do të ketë të ftuar edhe nga LDK-ja për vrasje të pasluftës.

Me gjithë këta emra për të cilët ka thënë se ka informacion, njëjtë është deklaruar edhe për shefin e tij në parti, Fatmir Limaj.

Nisma Social Demokrate po thonë se kreu i tyre veçse e ka përfunduar punën me Gjykata për kohë të luftës duke mohuar se Limaj është thirrur, e për deklaratat e Zekës thonë se janë individuale e assesi qëndrim i partisë.

Ish-gazetari në vitin 2015 pati publikuar listën ku përmendeshin  figura politike të larta, duke përfshirë edhe liderin e PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Veç këtyre, në listë përfshiheshin edhe Agim Çeku, Azem Syla, Xhavit Haliti e Shaip Muja.

Sipas emrave të parë të cilët veçse kanë dalë në opinion, parashikimi i tij nuk po del të jetë i saktë.

“Agim Çeku, Azem Syla, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Shaip Muja, Ajvaz Berisha, Daut Haradinaj, Blerim Kuqi,  Lahi Ibrahimaj, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi”.

Kjo ishte lista A, ndërkaq në listën B, do të akuzohën poashtu komondant të rangut të lart, kryesisht nga zona e Drenicës.

“Në Listën B janë Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Ilaz Dërguti dhe Sabit Geci tjetër, jo ai me nofkën ‘Çopa’”, shton ai.

“Dërguti akuzohet për një vrasje në Ujmir e Xhavit Haliti për një vepër në Shqipëri”, ishte deklaruar në emisionin Komiteti.

Deri më tani, nuk është ftuar askush nga lista A e Zekës, ndërkaq, nga Lista B është ftuar vetëm Sami Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat