Ftesat nga Gjykata Speciale, Haradinaj u bën thirrje ish-komandantëve: Mos u fshihni!

Aktuale

Ftesat nga Gjykata Speciale, Haradinaj u bën thirrje ish-komandantëve: Mos u fshihni!

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 12:40
Ramush Haradinaj

Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nënvizoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër dhe kjo do të dëshmohet në të gjitha proceset.

Komentet e Haradinajt, ish-komandant i UÇK-së gjatë konfliktit të 1998-1999, erdhën pasi disa ish-pjesëtarë të saj janë ftuar nga Prokuroria e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, për t’u intervistuar.

Prokuroria e Posaçme nuk ka folur për këto ftesa, që janë bërë publike nga avokatët mbrojtës të të thirrurve.

Në mesin e këtyre personave është Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si “komandant Remi”, Sami Lushtaku e Sokolo Dobruna. Një ftesë e tillë i ka mbërritur edhe Remzi Shalës, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë, sepse nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për Krime Lufte në Kosovë.

Haradinaj vet është përballur dy herë me Gjykatën për Krime Lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe është shpallur i pafajshëm.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë plotësisht funksionale që nga 5 korriku i vitit 2017, e punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale, në lidhje me akuzat nga raporti i Këshillit të Europës i vitit 2011, ku pretendohej për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat