Presidenti Thaçi deklarohet për ftesat për intervistim nga Gjykata Speciale për luftëtarët e UÇK-së

Aktuale

Presidenti Thaçi deklarohet për ftesat për intervistim nga Gjykata Speciale për luftëtarët e UÇK-së

Nga: G.B Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 13:51
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në lidhje me ftesat që janë bërë për luftëtarë të UÇK-së për intervistim.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se në Kosovë ndodhi spastrim etnik me përmasa gjenocidi dhe lufta jonë ishte e drejtë, andaj duhet të ketë drejtësi pa dallim etnie, përcjell Bota sot.

Presidenti ka thënë se luftëtarët e lirisë kanë kaluar nëpër sisteme gjyqësore deri tani, për ta dëshmuar të vërtetëm dhe tani duhet që të paraqiten edhe në Gjykatën Speciale.

“Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore. Kosova beson në të vërtetën, në drejtësinë dhe në procese transparente”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

Kosova ishte viktimë e agresionit të Serbisë. Qytetarët e Kosovës, në luftën e tyre për liri dhe pavarësi, sakrifikuan edhe jetën.

Në Kosovë ndodhi spastrimi etnik me përmasa gjenocidi.

U vranë mbi 13 mijë civilë shqiptarë dhe u dhunuan rreth 20 mijë gra shqiptare. U zhdukën rreth 3 mijë persona dhe u shkatërruan rreth 40 për qind e infrastrukturës. U zhvendosën dhunshëm nga shtëpitë dhe pronat e tyre rreth 1 milion shqiptarë dhe e gjithë kjo fushatë çnjerëzore u ushtrua nga Serbia.

Lufta jonë ishte e drejtë dhe atë e zhvilluam mbi bazën e parimeve të lirisë dhe drejtësisë.
Drejtësi duhet të ketë për të gjithë, pa dallim etnik.

Luftëtarët e lirisë, për të dëshmuar të vërtetën dhe drejtësinë e luftës së tyre, kaluan nëpër sisteme gjyqësore të njëpasnjëshme të udhëhequra nga ndërkombëtarët. Ata kaluan nëpër sistemin gjyqësor të UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës dhe të EULEX-it, për t’u riballafaquar më pas edhe me kërkesën e aleatëve tanë për themelimin e Dhomave të Specializuara, që ishte precedent në raport me vendet e tjera të rajonit të dala nga lufta.

Kosova, edhe pse e viktimizuar, duke besuar në të vërtetën dhe drejtësinë, i themeloi Dhomat e Specializuara në verën e vitit 2015-të.

Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë.

Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore.

Kosova beson në të vërtetën, në drejtësinë dhe në procese transparente.

Vetëm kështu mund ta ndërtojmë Kosovën evropiane, në rrugëtimin e saj të sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. HTH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat