Kosova duhet të ketë gjykatë komerciale

Aktuale

Kosova duhet të ketë gjykatë komerciale

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 14:18
Diskutimi i ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri, ka pasur sot me profesorët e Fakultetit Juridik

Krijimi i një gjykate komerciale-tregtare është e domosdoshme për Kosovën, pasi kjo do të ndihmonte që lëndët e bizneseve të zgjidhen më lehtë dhe më shpejt.

Ky konkluzion ka dalë nga diskutimi që ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka pasur sot me profesorët e Fakultetit Juridik, ku tema e diskutimit ishte pikërisht krijimi i gjykatës komerciale.

Përveç nevojës për gjykatë komerciale, nga profesorët është thënë se do të duhej që të bëhej edhe një gjykatë tatimore, ndërkohë që është shtruar edhe nevoja për rritje të numrit të gjyqtarëve.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se nevojën për një gjykatë të tillë e ka parë edhe me mbylljen e Gjykatës Ekonomike, ndërkohë që tash bëri të ditur se është një departament në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ka katër gjyqtarë dhe Shkalla e Apelit ku për çështjet që vijnë prej këtij departamenti është vetëm një gjyqtar.

Tahiri: Kosovës do t’i duhej një gjykatë komerciale

“Jemi në një situatë jo të mirë në raport me bizneset si gjyqësor dhe nuk po arrijmë as për së afërmi kështu si jemi me këtë organizim që e kemi me iu përgjigj nevojave të këtyre bizneseve. Pra, pa dyshim që kjo donë një intervenim nga ana jonë që ta përmirësojmë këtë gjendje. Jemi duke pa shumë shembuj, mendojmë që ndoshta më e mira do të jetë që Republikës sonë do t’i duhej një gjykatë komerciale, dy shkallësh ku do të jetë adresë e bizneseve, ku do ta rrisë efikasitetin e punës. Kam biseduar me ministrin e Drejtësisë së Gjermanisë e cila ka shpreh gatishmërinë në trajnimin e gjyqtarëve pikërisht në këtë fushë, sepse në fund të fundit nëse nuk kemi gjyqtarë të profilizuar, të përgatitur të jenë pjesë e kësaj gjykate, nuk mendoj që e kemi zgjidh problemin”, tha ai.

Ministri Tahiri tha se nëse nuk arrihet profilizimi i gjyqtarëve në këto fusha nuk do t’i zgjedhin problemet.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, tha se sfidë që e kanë parë ata është pritja e gjatë e bizneseve për zgjidhje të një lëndë, e që sipas tij mos shqyrtimi i një lënde për një kohë të gjatë dërgon në falimentim të biznesit.

Ai pati kërkesë që përveç gjykatës komerciale të shtohet edhe numri i gjyqtarëve.

Gashi: Kisha potencuar edhe rritjen e numrit të gjyqtarëve

“Të ketë edhe një kod komercial në të ardhmen që do të jetë një pjesë e legjislacionit më vonë, por në këtë aspekt do të kisha potencuar edhe rritjen e numrit të gjyqtarëve, sepse në fakt janë të stërngarkuar më lëndë dhe kanë një numër shumë të madh të lëndëve e nuk mund t’i përfundojnë”, tha ai.

Për këtë reagoi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se deri në mars të vitit të ardhshëm do të jenë 162 gjyqtarë të ri në kuadër të sistemit të ri gjyqësor.

Tahiri: Janë ngritur pagat për gjyqtarë dhe prokurorë

“Kemi gjyqtarë më shumë në sistem, kemi bashkëpunëtorë profesionalë më shumë, është ndryshuar një bazë e madhe e ligjeve si në Kod Penal edhe në çështje tjera, janë ngritur pagat për gjyqtarë dhe prokurorë. Nuk ka arsye tjetër për mos me u rrit efikasiteti në vitin 2019 ose vërtet atëherë e kemi një problem shumë të madh se diçka te ne nuk po ec”, tha ministri Tahiri.

Ndërkaq, profesori Bedri Peci, ka thënë se gjykata komerciale është e domosdoshme, megjithatë ai ka thënë se duhet të bëhet edhe gjykata tatimore.

Peci: Përveç gjykatës komerciale, të bëhet edhe gjykata tatimore

 

“Sa më shpejt që bëhet e mundur funksionalizimi i këtyre gjykatave në dy nivele siç e theksuat ju, mendoj që kjo do të jetë shumë e mirëseardhur dhe do të jetë në funksion të atraktivitetit të ekonomisë së Kosovës për investitorë të jashtëm. Unë e kam një propozim plus gjykatës komerciale, unë mendoj që duhet të bëhet edhe gjykata tatimore, siç ekzistojnë në shtetet e zhvilluara, Gjermani, Holandë, SHBA. Pasi që kontekstet e natyrës komerciale dhe natyrës juridiko-tatimore nuk mund të zgjidhen prej gjykatave të rregullta”, tha ai.

Profesoresha Nerxhivane Dauti tha se në Fakultetin Juridik e kanë një drejtim kontrata dhe e drejta komerciale, ku përgatitin studentë të kësaj fushe.

Dauti: Formimi i Gjykatës Komerciale kërkon edhe një bazament ligjor

“Konsideroj që formimi i gjykatës komerciale kërkon edhe një bazament ligjor. Ky bazament ligjor nënkupton miratimin e Kodit komercial, tregtar, që më parë kanë ekzistuar në shtetet e ndryshme. Kosova ende nuk e ka Kodin tregtar apo  komercial. Ne momentalisht jemi duke punuar në Kodin Civil, por Kodi Tregtar do ta rregullonte shumë më mirë dhe në mënyrë më specifike çështjen e kontratave komerciale, kontratave të tjera të lidhura me të dhe gjykatave komerciale’, tha ajo.

Ndryshe, diskutimi i sotëm është mbajtur në kuadër të kampanjës ‘’Drejtësia dhe Biznesi‘.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat