Tahiri: Mos të evitohet bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara, kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës - Bota Sot
Tahiri: Mos të evitohet bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara, kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës

Aktuale

Tahiri: Mos të evitohet bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara, kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 15:45
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënëse Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit kushtetues dhe se janë ndërtuar mbi standardet e avancuara të të drejtave të njeriut.

Tahiri ka thënë se nga këto dhoma nuk pritet asgjë më pak sesa trajtim dinjitar, respektim i plotë i rregullave fundamentale të shtetit ligjor dhe se mbi këtë bazë fton qytetarët e Kosovës që të mos evitojnë në asnjë rrethanë bashkëpunimin me to, sepse kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës.

Gjithashtu ministri Tahiri ka shtuar se vetëm duke bashkëpunuar plotësisht me Dhomat e Specializuara do të rifkonfirmohet lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së.

Postimi i plotë:

Përgjatë 20 viteve kemi rrugëtuar në konsolidimin e Republikës së Kosovës, si vend demokratik, ku sundon rendi dhe ligji dhe në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Përkundër faktit se si shoqëri, ne kemi trashëguar krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si luftë e pastër për çlirim, nga qarqe tjera ka pasur aludime për krime lufte, si rezultat i të cilave u shtrua nevoja për një gjykatë speciale për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë pretendimeve dhe për të zbardhur të vërtetën. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit tonë kushtetues, janë ndërtuar mbi standardet e avancuara të të drejtave të njeriut dhe nga këto dhoma nuk presim asgjë më pak sesa trajtim dinjitoz, respektim të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore si dhe gjykime të bazuara ekskluzivisht mbi parimet më fundamentale të shtetit ligjor. Mbi këtë bazë, konsideroj dhe ftoj çdo qytetar të Kosovës që mund të jetë subjekt i paraqitjes pranë këtyre dhomave, që të mos evitojë në asnjë rrethanë bashkëpunimin me to sepse kjo nuk i kontribuon shtetit të së drejtës. Vetëm duke bashkëpunuar plotësisht me Dhomat e Specializuara ne do të rikonfirmojmë luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat