Haradinaj i përgjigjet Stoltenbergut: Nëse pyeten të gjithë kurrë nuk bëhet tamam

Aktuale

Haradinaj i përgjigjet Stoltenbergut: Nëse pyeten të gjithë kurrë nuk bëhet tamam

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 21:14
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj për deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është treguar i matur dhe ka thënë se ka qenë vetëm një mesazh që tregon se sa me seriozitet duhet të trajtohet çështja e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Teksa Stoltenberg pati thënë se kjo po bëhet në kohë jo të duhur, Haradinaj ka nënvizuar se vendimi është e drejtë sovrane dhe askush nuk guxon ta pengojë.

“Të kuptohet që është situatë që duhet të jemi të përgjegjshëm, që të kuptohet që është situatë e ndjeshme dhe të kuptohet serioziteti i asaj që po bëjmë sepse të gjitha janë palë, edhe NATO është palë edhe pse ka vepruar në kohën kur e ka vlerësuar dhe ne po e zbatojmë një të drejtë tonën sovrane dhe s’guxon të pengohet”, ka thënë Haradinaj. “Nëse pyeten të gjithë kurrë nuk bëhet tamam”, theksoi ai.

Kujtojmë se Stoltenbergu kishte deklaruar se ia ka potencuar, si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit, nevojën për qetësi dhe përmbajtje, si dhe anashkalim të ndonjë hapi apo deklarate provokuese.

“Me Haradinajn, kam shqyrtuar planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Kam theksuar se një hap i tillë vjen në kohë të papërshtatshme dhe është kundër këshillës së dhënë nga disa aleatë të NATO-s, andaj mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Përveç tjerash, ai ka thënë se nëse do të rritet mandati i FSK-së, NATO-s i duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit me këtë Forcë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat