Haradinaj kritikon BE'në: Po na çojnë ftesa për Hagë, e s'po na i heqin vizat - shpërputhje e madhe

Aktuale

Haradinaj kritikon BE'në: Po na çojnë ftesa për Hagë, e s'po na i heqin vizat - shpërputhje e madhe

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 22:33
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, si dhe për ftesat e para për marrje në pyetje që Gjykata Speciale, në Hagë, ka nisur në adresë të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj ka thënë  se populli i Kosovës është “proevropian”, dhe “pak a shumë njëfarë lodhje e kemi në pritje të vizave”.

“Nuk po na japin. Na kanë qitur një kontratë, e kemi përmbushur, por tash s’po i japin vizat”, është shprehur ai.

Ai i ka cilësuar si “pak problem” ftesat për Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK’së.

“Populli i Kosovës thotë se prapë po duhet të kalojmë nëpër filtra të drejtësisë. U bë boll më”, është shprehur shefi i ekzekutivit.

“Njëherë ishte UNMIK’u, njëherë ishte Haga, EULEX’i, tash edhe njëherë Haga. Shumë u bë”, ka shtuar Haradinaj.

“Ajo që është e drejtë të ndodhë, të na japin liberalizimin, s’po na japin. Këta mund të kujtojnë se mos ka Evropa diçka kundër nesh... qytetarët”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Qytetarët, sipas Haradinajt, “mund të lodhen në këtë farë marrëdhënie”.

“E shfrytëzoj rastin t’ju bëj apel vendimmarrësve në BE që të na kuptojnë”, ka thënë ai.

“Gjithë këta t’i thërrasin, e të mos na e japin liberalizimin, për besë është në shpërputhje të madhe”, ka vlerësuar Haradinaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat