Ushtria e Kosovës është e paqes dhe e partneritetit me NATO-n

Aktuale

Ushtria e Kosovës është e paqes dhe e partneritetit me NATO-n

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 20:10
Hashim Thaçi , Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes dhe e partneritetit me NATO-n. Ushtria do të mbetet forcë shumetnike dhe do t’i mbrojë të gjithë qytetarët e saj. Do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajonin tonë e më gjerë.

Këto u thanë nga krerët e institucioneve të Kosovës, në pritjen shtetërore që u mbajt sot pas kalimit të projektligjeve që i dhanë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin e ushtrisë.

Me këtë rast, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se sot është përmbyllur një proces i nisur para shumë vitesh. Ai tha se është marrë një hap i rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë, kjo pasi sipas tij ushtria është shtyllë e shtetit.

Kreu i shtetit, ka thënë se FSK-ja sot nuk është vetëm ushtri, por ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm në Kosovë. Thaçi tha se FSK-ja është bërë institucioni që më së miri paraqet vlerat e Kosovës dhe të shoqërisë kosovare.

Komandanti Suprem, ka thënë se bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi dhe profesionalizimi janë vlerat e FSK-së.

Thaçi: FSK do të mbetet forcë shumetnike

“Ata i sigurojmë se Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike, që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje a etnie. Dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajonin tonë e më gjerë. Partnerëve tanë ndërkombëtarë u themi se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë, është duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të paqes dhe sigurisë. Prandaj, Forca e Sigurisë së Kosovës është edhe një mënyrë tjetër e jona për t’i thënë faleminderit bashkësisë ndërkombëtare për përkrahjen që na ka dhënë gjithmonë. Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n, dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, një falënderim ka pasur edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre sot i hapën rrugë transformimit të FSK-së.

Ai tha se të gjitha partitë politike të Kosovës, pa dallime kanë treguar se kur është në pyetje interesi i Kosovës, e mira e përbashkët, i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe votojnë për Kosovën.

Madje, ai ka kërkuar që këtë unitet të treguar sot, ta ruajnë edhe për proceset tjera të rëndësishme që e presin Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova po hyn si e fundit në rreshtin e ushtrive të botës dhe se ishte koha që Kosova të kishte rreshtin e vet. Kreu i Qeverisë, tha se Kosova me rreshtin e saj po hyn në ushtritë e paqes së botës.

Ushtrisë së Kosovës sipas Haradinajt i janë gëzuar edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

Haradinaj: Sot janë gëzuar edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit

“Po e citoj një thënie të gjeneralit Mattis, që ka thënë për marinsat ‘që s’ka mik më të mirë se marinsi, por s’ka edhe armik më të keq’, nuk ka mik më të mirë se FSK-ja, por edhe armik më të keq se FSK. Ushtarët tonë të Kosovës sot janë shumë të gëzuar, po besoni sot janë gëzuar edhe varret edhe të gjallët. Për mos të shkuar nëpër krejt brezat prej ku ia kemi nisur me rrugëtua atëherë po ndalem tek të fundit, edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës janë gëzuar sot, po janë gëzuar edhe ushtarët e Adem Jasharit. Me guxim do ta mbajmë veten në drejtim më të drejtë që ekziston, e cili është më i drejti është me iu kushtua, me e përkrahë, me e mbrojt paqen. Nuk fillojmë dhe nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtëse dhe nuk do të veprojmë që ushtria jonë asnjëherë me u kthye kundër popullit të vet”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se ushtria e Kosovës asnjëherë nuk do të kthehet kundër popullit të vet, pa marrë parasysh etninë e tyre, ndërkohë që ka theksuar se serbët do të mbrohen nga ushtria si në jug ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se dita e sotshme është edhe një ditëlindje tjetër e madhe në vargun e ditëlindjeve të popullit të Kosovës, sipas tij ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës.

Veseli tha se  kombi shqiptar gjatë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqeu ambicie në dëm të të tjerëve dhe në zemrat e pjesëtarëve të tij kurrë nuk zuri vend urrejtja kundër të tjerëve.

Veseli: E ardhmja e afërt do ta konfirmojë drejtësinë e plotë të kauzës sonë çlirimtare

 “Krejt çfarë deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin dhe lirinë tonë. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë dy lëvizjet e fundit historike, lëvizjen e rezistencës paqësore të viteve ’90-të dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë, me siguri dhe pa mëdyshje, por edhe e ardhmja e afërt do ta konfirmojë drejtësinë e plotë të kauzës sonë çlirimtare dhe të gjithë atyre që bartën mbi supet e tyre këtë kauzë. Ne besojmë te drejtësia, sepse ne kemi luftuar vetëm për drejtësinë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në anën e drejtë të historisë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.     

Kreu i Kuvendit u shpreh se e ardhmja e Kosovës është e sigurt dhe ka vetëm një emër, që sipas tij është integrim në familjen e madhe euro-atlantike.

Ai potencoi se Ushtria e Kosovës do të jetë vazhdim i këtij përcaktimi human të dëshmuar si popull gjatë historisë, pra sipas tij një ushtri për veten dhe botën demokratike.

Sipas Veselit, Ushtria e Kosovës do të jetë një ushtri për sigurinë e vendit, një ushtri për stabilitetin dhe paqen demokratike në rajonin, një ushtri në aleancë me NATO-n dhe në shërbim të vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Ditën e sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për  Projektligjin  për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe  Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat