Visar Ymeri prezanton ekipin negociator, këta janë emrat

Aktuale

Visar Ymeri prezanton ekipin negociator, këta janë emrat

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 18:46
Visar Ymeri

Visar Ymeri i PSD-së, derisa ka prezantuar rezolutën për dialogun me Serbinë, e propozuar nga partia e tij, ka thënë se ekipi negociator do të përbëhet nga nëntë persona.

Ai ka thënë se ekipi negociator do të përbëhet nga Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Jagcilar dhe Dardan Gashi. Dy vendet e rezervuara për VV-në dhe LDK-në do t’i zë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

Ky është fjalimi i plotë i Visar Ymerit:

Të nderuar qytetarë,

Pas katër muajve të diskutimit e trajtimit të parimeve bazë të kornizimit të dialogut dhe procedurave të vendimmarrjes në të dhe për të, kemi arritur më në fund që këtij Kuvendi t’ia kthejmë rolin qendror në këtë proces shumë të ndjeshëm e të rëndësishëm për të tashmen e të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Me rezolutën që po e paraqesim sot Kuvendi do të vendos që:

Ta themelojë delegacionin shtetëror, të bashkëkryesuar nga opozita dhe koalicioni qeveritar

T’i vendos kornizat e platformës dialoguese shtetërore

T’i saktësojë përfitimet që Republika e Kosovës i synon përmes dialogut

T’i saktësojë dhe sanksionojë me ligj procedurat vendimmarrëse në procesin e dialogut, duke ia bartur kompetencat vendimmarrëse delegacionit të mandatuar nga Kuvendi, si dhe marrëdhëniet që delegacioni shtetëror do ta ketë me Institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës për sa i përket procesit të dialogut

T’ia nënshtrojë marrëveshjen përfundimtare referendumit konsultativ, në të cilën qytetarët e Kosovës kolektivisht do të pyeten për pranueshmërinë e marrëveshjes.

Kjo fazë e dialogut, për shkak të kësaj mënyre të rregullimit që përcaktohet me këtë rezolutë e që do të sanksionohet me Ligjin për Detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror, është plotësisht e substancialisht e ndryshme me cilindo process negociate e me cilëndo fazë të deritashme të dialogut.

Në të Republika e Kosovës për herë të parë po hyn me një përgatitje të duhur dhe me parime dhe synime të qarta. Procesi i DIALOGUT do të jetë i PRANUESHËM VETËM nëse PËRFUNDIMI i tij do të rezultojë në :

NJOHJE të ndërsjellë të shtetësisë nga PALËT e përfshira në Proces;

ANËTARËSIM të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)

ZOTIM të verifikueshëm për përshpejtimin e PROCESEVE INTEGRUESE të Republikës së Kosovës në BASHKIM EVROPIAN dhe në NATO.

Përbrenda këtij procesi të dialogut delegacioni shtetëror delegacioni shtetëror obligohet që të punojë sipas kësaj Kornize, përmbajtje dhe karakteri të Dialogut:

Integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.

Interesi strategjik i shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës synon të zhvillojë dhe mirëmbajë fqinjësi të mirë, të anëtarësohet në Aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të përkrahë një proces të bisedimeve i cili do ta kontestojë apo relativizojë këtë interes strategjik të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Republika e Kosovës është rregullim shtetëror i demokracisë parlamentare dhe i shoqërisë sekulare brenda traditës multi-kulturore.

Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të përkrahë një proces të bisedimeve i cili nuk i përfillë dhe i konteston këto fundamente strukturore dhe identitare të shtetit të Kosovës.

Delegacioni shtetëror do të përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve 6 do të jenë nga koalicioni qeveritar, 4 nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. Kështu brenda kolcionit shtetëror është krijuar vendimmarrje e barabartë mes pushtetit dhe opozitës, dhe është krijuar hapësirë për përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje.

Vendimet në Delegacion do të jenë unanime dhe koncensuale.

Në këtë proces dialogu transparenca dhe llogaridhënia janë të sanksionuara me ligj. Kuvendi do ta themelojë një komision të veçantë me përgjegjësi eksluzive për ta mbikëqyrur procesin e dialogut në secilën fazë të tij, për dallim prej herave të kaluara kur Kuvendi është përfshirë vetëm në fillim të procesin dhe është detyruar në fund ta ratifikojë marrëveshjen pa diskutuar asnjëherë në mënyrën e duhur procesin dhe përmbajtjen e marrëveshjes.

Të nderuar deputetë,

Kjo rezolutë i adreson të gjitha çështjet e ngritura deri tash në diskutimin publik e Kuvendar për dialogun. Vendimmarrja në këtë proces është bartur te Delegacioni shtetëror i cili edhe mandatohet edhe i jep llogari Kuvendit.

Me rezolutë zotohemi e me Platformën shtetërore do të konfirmohen pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës.

Përmes këtij procesi të dialogut përfundimisht Serbia do të obligohet ta njoh Republikës e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Përndryshe nuk do të ketë marrëveshje. Republika e Kosovës nuk do të zbatojë asgjë njëanshëm. Faza e fundit do të jetë vërtetë fundi i këtij lloj dialogu me Serbinë.

Dukei pasur parasysh këto unë nuk mund ta kuptojë asnjë kundërshtim karshi këtij rergullimi e pozicionimi të Republikës së Kosovës në dialog.

Dhe në të vërtetë, kundërshtime substanciale, konceptuale e parimore karshi tekstit të reolutës ose tekstit të ligjit nuk kam parë e as dëgjuar. Që i bie që edhe kundërshtarët formal pajtohen me tekstin që e rregullon dhe sanskionon procesin e dialogut. Por nuk kam parë as ndonjë vërejtje serioze për kohën kur ndodh dialogu. Pra pajtohen edhe me kontekstin.

Shfrytëzoj rastin edhe një herë t’i bëjë thirrje edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! që të bëhen pjesë e delegacionit shteëror dhe të marrin pjesë active e vendimmarrëse në këtë proces.

Sjelljet e tyre që i kemi parë deri sot nuk janë kundërshtime opozitare. Nuk mund ta kuptojë se si një subjekt opozitar e kundërshton hapësirën e vet vendimmarrëse brenda organit të vetëm vendimmarrës për dialogun që e themelon kjo rezolutë dhe që e rregullon Ligji. Zakonisht opozita kundërshton kur nuk ka hapësirë vendimmarrëse, dhe kur nuk ka transparencë të procesit. Këto të dyja i eliminon rezoluta. Ajo po ashtu vendos kritere e parime të qarta të cilat janë folur e trajtuar disa herë nga Opozita si domosdo për një proces të dobishëm dialogu.

Në këtë proces do t’i kemi dy beteja:

Njëra karshi mënyrës së deritashme të dialogimit, e trupëzuar në pushtetin aktual

Tjetra, dhe më e vështira, karshi Serbisë dhe tendencave të saj të pafunda hegjemoniste.

Nuk kemi betejë me ata që kanë potencial dhe paraqesin fizionimi politike progresive. Ky lloj kundërshtimi që po dëgjohet sot, e që është dëgjuar dje, e që duket se do të dëgjohet edhe nesër, është i pabazë, i paqëndrueshëm, jo parimor, dhe mbi të gjitha jo i dobishëm për Republikës e Kosovës.

Frika nga përshirja, ikja nga përgjegjësia, përqendrimi kah rehatia personale e partiake karshi interesit të përgjithshëm e dëmtojnë Republikën e Kosovës. Aktualisht e potencialisht.

Prandaj është koha ta vendosim interesin e Republikës së Kosovës, interesin e përgjithshëm, përmbi e përtej tekeve, inateve, ambicieve e interesave personale.

Rrjedhimisht, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ju ftoj ta votoni sot këtë Rezolutë dhe Delegacionin shtetëror me këtë përbërje:

Shpend Ahmeti nga PSD, Fatmir Limaj nga NISMA, si bashkëdrejtues;

Enver Hoxhaj nga PDK, anëtar

Avni Arifi AAK, anëtar

Behgjet Pacolli, AKR, anëtar

Mahir Jagcilar 6+, anëtar

Dardan Gashi, zv, kryeministër, anëtar

Një përfaqësues i shoqërisë civile

Si dhe dy vendet e rezervuara për LDK dhe VV e në të cilat do të mandatohen Visar Ymeri PSD dhe Dukagjin Gorani PSD deri sa këto dy subjekte të vendosin t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat