Kush janë dy kryenegociatorët – Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti?

Aktuale

Kush janë dy kryenegociatorët – Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti?

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 19:05
Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Fatmir Limaj, një ish-zyrtar i lartë i PDK’së, tash ka formuar një Parti me të cilin ka marrë hise të madhe në Qeveri. Shpend Ahmeti, ish-zyrtar i VV e FER’it, tash Kryetar i PSD’së. 

Fatmir Limaj, ish-udhëheqës i UÇK’së e PDK’së, ka vendosur bashkë me Shpend Ahmetin të kryesojnë dialogun me Serbinë.

Rezoluta e propozuar nga PSD është miratuar me 59 vota për, 2 abstenime në Parlamentin e Kosovës. Të njëjtin dokument e kanë kundërshtuar dy partitë tjera opozitare: LDK e Vetëvendosje.

Por, kush është Fatmir Limaj?

I njohur në luftë si Komandant Çeliku, Fatmir Limaj pasluftës kishte themeluar PDK’në bashkë me Hashim Thaçin. Në vitin 2003, ai ishte përballur me Gjykatën e Hagës ku ishte shpallur i pafajshëm dy vite më vonë.

Ishte kthyer në Kosovë me popullaritet të madh ndërsa kishte menduar largimin nga PDK’ja. Megjithatë, atëkohë, ai kishte vendosur të bashkëjetojë me PDK’në, ku kishte garuar për Kryetar të Prishtinës. Kishte humbur përballë Isa Mustafës së LDK’së kur më 2007 doli i dytë në Prishtinë.

Kur PDK fitoi zgjedhjet në fund të vitit 2007, mori pozitën e Ministrit të Transportit. Për shkak të akuzave sa ishte në MTI, dhjetë vjet u ndoq nga Prokuroria dhe hetuesia. Doli i pafajshëm. Gjatë kësaj periudhe Limaj u përballë edhe me akuza për krime lufte. Edhe ndaj tyre doli se ishte i pafajshëm.

Aktualisht, është Zëvendëskryeministër në Qeverinë ku ka edhe tri ministri të rëndësishme. Ka 6 deputetë në Parlamentin e Kosovës.

Kush është Shpend Ahmeti?

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka stazh nëpër parti politike më shumë se kryenegociatori i parë, Fatmir Limaj.

Ahmeti kishte nisur jetën publike pas kthimit nga studimet në Harvard derisa më 2011 kishte themeluar një parti politike bashkë me Ilir Dedën. Por, me FER’in kishte dështuar të kalonte pragun.

Ishte promovuar si liberal dhe përkrahës i ekonomisë së lirë të tregut dhe lirisë individuale.

Kur dështoi me FER’in, Ahmeti kishte vendosur të shkonte në prehrin  e Albin Kurtit ku kishte marrë pozitën e Nënkryetarit të Partisë. Me vete kishte marrë pothuajse gjithë FER’in. Por, jo edhe Ilir Deda, i cili ishte anëtarësuar më vonë në Vetëvendosje për të dalë përsëri para Ahmetit nga kjo Parti.

Ahmeti arriti suksesin më të madh kur më 2013 kishte fituar garën për Kryetar të Prishtinë në garë me Isa Mustafën. E kishte mundur kreun e LDK’së në balotazh pavarësisht se në raundin e parë ishte i dyti.

Ka fituar për më pak se 300 vota edhe në zgjedhjet e fundit për Shef të Kryeqytetit.

Menjëherë pas fitores në Prishtinë, Ahmeti nisi të distancohej nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti.

Arriti të ndajë Partinë e themeluar nga Kurti dhe shkoi në PSD’në e Kaqusha Jasharit. Sikurse në kalimin e parë, edhe në të dytin, mori një pjesë të përkrahësve të tij dhe të Kurtit në PSD.

Me 12 deputetë, Ahmeti ka vendosur të përkrahë Qeverinë në dialog. Ka vendosur të mos përkrahë kërkesën e LDK’së dhe VV’së për zgjedhje të reja.

Në sondazhet e bëra, PSD ka dalë vazhdimisht te 2 për qindëshi i përkrahjes popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat