Përplasje e re mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt

Aktuale

Përplasje e re mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 23:07
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Miratimi i rezolutës dhe ekipit për dialogun që u propozua nga PSD'ja, ka nxitur përplasje të reja mes deputetëve të kësaj partie dhe Vetëvendosjes, që dikur ishin bashkë.

Një debat në rrjetet sociale ka shpërthyer së fundi ndërmjet kryetarit të VV'së, Albin Kurti, dhe dikur partnerit të tij të afërt, Dardan Molliqaj, tash deputet i PSD’së.

Ishte Kurti që shkroi në Facebook se të larguarit nga VV’ja, më nuk do të mund të marrin asnjë pozicion.

Madje zyrtarët e PSD’së i quajti “bandë kaskaderësh”.

“Pjesëtarët e grupit negociator, deputetët që e inicuan atë, sikurse edhe vetë presidenti e kryeministri, janë në mandatin e fundit të tyre, e të cilin e kanë të pamundur ta çojnë deri në fund. Nuk do të mund të bëhen më president, kryeministër e ministër i jashtëm, dhe as kryetar komune e deputetë (këta që dolën nga VETËVENDOSJE!). Ky është mandati i fundit i tyre. Andaj po sillen ashtu siç janë, si një bandë kaskaderësh”, shkroi në Facebook Albin Kurti.

Por reagimi i Dardan Molliqajt nuk vonoi. E quajti “megaloman” Albin Kurti, duke theksuar se ai po e dëshmon në vazhdimësi “paranojën”

“Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megallomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”, shkroi Molliqaj.

Tutje tha se bashkëpunimi i VV’së me LDK’në e kanë si qëllim vetëm ardhjen në pushtet.

“Dëshira e VV për të qenë së bashku me LDK-në zgjidhja e problemit, që e bëri të pashmangshme rezolutën e PSD’së, tregon veç që qëllim nuk e kanë zgjidhjen e problemit, por ardhjen në pushtet. Ardhjen në pushtet duke i përdorur shkaktarët e problemit si vegël dhe Isa Mustafa duke e heshtur vazhdimisht faktin që ai e bëri Thaçin President po përpiqet t´ia lehtësojë Albin Kurtit bashkëpunimin me të, për mos të thënë përdorimin apo shfrytëzimin e tij dhe për ta hutuar opinionin publik ata vazhdojnë dhe ushtojnë”, shkroi Dardan Molliqaj.

Ndryshe ditëve të fundit ka pasur edhe akuza e kundër-akuza tjera mes zyrtarëve të dy partive.

PSD’ja në njërën anë e ka quajtur VV’në të etur për pushtet, e këta të fundit kanë thënë se partia e Shpend Ahmetit po bëhet pjesë e pushtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat