Kurti kundërshton raportin e Qeverisë për dialogun, e quan antikushtetues

Aktuale

Kurti kundërshton raportin e Qeverisë për dialogun, e quan antikushtetues

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 14:39
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e vlerëson draft dokumentin e Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, si raport jo parimor, dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Kurti në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka theksuar se qasja e këtij dokumenti të Qeverisë, është qasje e ngjashme me një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj ka thënë ai LVV nuk e pranon këtë dokument.

“Na ka ardhur një material 30 faqe nga Qeveria, për dialogun me Serbinë, këtë kryeministri na solli në gjuhën angleze e që qartazi nuk e kishte për neve, por për shtetet e Quint-it. Në këtë material qartazi flitet për parime po qasja është jo parimore. Është mungesë e qasjes së reciprocitetit, mandej është një qasje e gjuhës së ndërmjetësuesit. Nëse do e lexoja dokumentin pa e ditur kush e ka dërguar do të kisha menduar që e ka shkruar një shtet që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës e jo vet qeveria e saj”, ka thënë Kurti.

Sipas tij është i pakuptimit fakti që është formuar ekipi negociator për dialog, përderisa një ditë para se kjo gjë të ndodh është lëshuar ky dokument nga qeveria.

“Para së gjithash si mund të bëhet që në Kosovë të shtunën votohet një grup negociator i qeverisë kur qeveria tashmë na ka sjellur marrëveshjen përfundimtare, që është diqka që vjen pas platformës dhe pas ekipit negociator. Të shtunën votohet ekipi ndërsa një ditë para është lëshuar marrëveshja gjithëpërfshirëse nga i njëjti kryeministër”, potencoi Kurti.

Ai thotë që në këtë raport është kërkuar vetëm ulësja e Kosovës në OKB, por jo edhe njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kurti thotë që fjala “njohje” është përmendur, por jo edhe “njohje e pavarësisë së Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat