Haradinaj sulmon idenë e Thaçit në Bruksel

Aktuale

Haradinaj sulmon idenë e Thaçit në Bruksel

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 16:41
Haradinaj sulmon idenë e Thaçit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka sulmuar idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e delegacionit kosovar me atë të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në takimin mes dy delegacioneve që u mbajt në kuadër të Këshillit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Haradinaj u shpreh se kushdo që flet për korrigjimin e kufijve është “armiku ynë”, duke iu referuar idesë së presidentit Thaçi.

“Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet”, ka thënë Haradinaj, në fjalimin e tij në Bruksel.

Haradinaj ka thënë se në emër të Qeverisë së Kosovës e kundërshton fuqishëm idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

“Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj megjithatë është shprehur se Kosova është e vetëdijshme për rëndësinë e dialogut me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat