Haradinaj tregon pse u nervozua në takim me Mogherinin

Aktuale

Haradinaj tregon pse u nervozua në takim me Mogherinin

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 12:20
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fajësuar shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për dështimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se procesi aktual ka dalë nga binarët.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka treguar se presioni i tij ndaj Mogherinit në takimin e djeshëm në Bruksel, ka qenë i sinqertë.

Haradinaj porositi shefen e diplomacisë evropiane që të kthejë dialogun në binarë, pasi procesi aktual ka ‘vdekur klinikisht” që nga muaji mars.

Haradinaj: Mogherini ta rikthejë kornizën e dialogut

“Zonja Mogherini  kurrë nuk është vonë që të rikthejë kornizën  në atë për çka folët. Pra, nuk folët për status të Kosovës aty, e as për territore të Kosovës, toka e kufij, po për normalizim të dy vendeve. Ajo mundet të thotë në çdo kohë që ju ftoj, por në këto korniza jemi, kështu ka qenë realisht, por ka dalë në terren tjetër  edhe që duhet të kthehet në të. Nëse e bën, është shumë mirë, sepse fitojmë kohë, pra i kthehemi një dialogu normal, nëse vonohet atëherë  shpresat tona do të vijnë te një përfaqësues i lartë i ardhshëm”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se Mogherini ka rrezikuar investimin e BE-së në Ballkan. Ai me këtë rast ka pasur dy kërkesa ndaj Bashkimit Evropian.

Haradinaj: Kërkojmë normalizim të dialogut, ka dalë nga kontrolli

“Sot për sot  për BE-në dy kërkesa i kemi. Edhe të dyja janë shumë legjitime. Normalizimi i dialogut, pra me u kthyer dialogu në situatë normale, se ka dalë prej kontrollit, si i tillë, ose prej normalitetit, dhe liberalizimi i vizave. Të dyja janë në proces, pra edhe kjo e liberalizimit të vizave, nuk është se ne  kemi dëshirë shpejt me dëshpëruar veten, nuk është një vendim yni. E kam thënë disa herë, jemi në proces po shkojmë drejt, nuk ndërlidhet me taksën, mos e harroni këtë. Është një kontratë e ndarë që ka pasur Kosova me BE-në, nuk ndërlidhet me taksën, është e drejtë e qytetarëve të vendit. Unë besoj që do ta marrim liberalizimin e vizave në një të ardhme, jo fort të largët, të paktën jo atë që ka thënë komisionari Hahn në Prishtinë. Pra, ne po synojmë me marrë tash para Vitit të Ri, menjëherë pas Vitit të Ri, është e drejtë e jona”, tha Haradinaj.

Ai ka bërë edhe një herë me dije se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradinaj: Kosova nuk do të jetë më në mëshirë të të tjerëve

“Kosova më nuk mund të jetë në mëshirë të të tjerëve. Kosova vendimet e veta, punët e veta  do t’i paraqet vet. Unë besoj që do të binden të gjithë  që kjo puna e taksës  jo vetëm që nuk ka me u heq, por çdo herë ka me u konsoliduar si qëndrim i Kosovës. Pa marrë parasysh se kush është ministër, apo kryeministër apo dikush tjetër, por nuk ka me u ndryshuar deri  në njohje”, ka thënë ai.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fajësuar serish shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për dështimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se procesi aktual ka dalë nga binarët.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka bërë edhe një herë me dije se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

I pyetur se pse u nervozua gjatë takimit të djeshëm me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se presioni i tij ka qenë i sinqertë ndaj saj.

"Kosova më nuk do të jetë në mëshirë të të tjerëve. Do të binden të gjithë që kjo puna e taksës jo vetëm që nuk ka me u heq, por do të konsolidohet dhe nuk do të ndryshojë deri në njohje të Kosovës. Është absurd me e heq", tha Haradinaj.

Ndërkohë që nuk është ftuar në takimin që do të mbahet nesër në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se mirëpret një gjë të tillë.

"Nuk më ka mbetur më punë që të jem aty. Unë i kam kryer ato çfarë kam pasur të them. Moghereni e ka çrregulluar dialogun, ka nxjerrë shumë probleme në rajon", është shprehur ai.

***

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative ligjore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi ka paraqitur draft-marrëveshjen, duke thënë se ajo parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës, të ketë drejtësi për krimet e luftës, të njihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Arifi tha se në tri takimet me palën serbe, këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm që të zbatojnë asnjë marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës ka implementuar çdo marrëveshje të Brukselit. Refuzimi i anës serbe ka bërë që të humbin 12 milionë euro të Brukselit. Qytetarët e Kosovës ndalen në baza ditore, në vendkalimet kufitare", tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e vendit tonë nga ana e Serbisë.

"Qeveria në procesin e dialogut do ta mbështesë delegacionin shtetëror. Synimi është të arrihet një kontratë përfundimtare. Tarifa që është vendos ndaj mallrave të Serbisë nuk do të ndryshojë. Kosova ka nevojë për njohjen e Serbisë. Ata kanë nevojë për tregun tonë", tha ai.

Duke folur rreth draft-marrëveshjes, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se si përfaqësues i komunitetit turk do të vazhdojnë të përkrahin interesat e shtetit të Kosovës.

“Për neve do të jetë shumë e rëndësishme se çka vendoset nga qeveria, dhe do ta përkrahim atë", tha ai.

Kabineti qeveritar ka aprovuar draft-rregulloren për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Sa i përket propozim-vendimit për themelimin e komitetit ndër-ministror për integrim në NATO, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka kërkuar që të ndryshohet termi integrim në NATO dhe të zëvendësohet me fjalën anëtarësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat