Draft-marrëveshja parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës

Aktuale

Draft-marrëveshja parasheh që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka diskutuar për draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative ligjore në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku mes tjerash u tha se pala serbe që nga fillimi i dialogut nuk kanë qenë e gatshme të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi  tha se Qeveria e Kosovës ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit, por pala serbe nuk ka bërë një gjë të tillë. Arifi tha se që nga marsi ka pasur “vdekje klinike” të dialogut.

Ai ka paraqitur draft-marrëveshjen, duke treguar kështu se me këtë dokument  parashihet që Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës.

Arifi: Të ketë drejtësi për krimet e luftës

“Objektivat kryesore të draft-marrëveshjes janë:  Që palët të njohin  sovranitetin shtetëror  dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.  Të adresohen çështjet  që ndërlidhen me suksesionin  nga shpërbërja e Jugosllavisë, si për shembull   pensionet dhe borxhet e jashtme.  Të ketë drejtësi për krimet e luftës, angazhim për zbardhjen e personave të zhdukur, njohjen e viktimave  të dhunë seksuale  dhe reperacionet, të zgjidhen problemet  me të cilat ballafaqohemi sot si njohja reciproke, energjia, telekomunikimi, transporti. Të mundësohet lëvizja e lirë  e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në harmoni  të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian”, tha Arifi.

Ai po ashtu tha se në këtë draft-marrëveshje përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e vendit tonë nga ana e Serbisë.

Haradinaj: Serbia ka nevojë për tregun tonë

“Tarifa që është vendos 100 për qind  ndaj mallrave të Republikës së Serbisë  do të qëndroj deri në arritjen  e njohjes nga Serbia. Pra, ne kemi nevojë për njohjen  nga Serbia, po ashtu ata kanë nevojë për tregun tonë”, tha Haradinaj.

Duke folur rreth draft-marrëveshjes, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se si përfaqësues i komunitetit turk do të vazhdojnë të përkrahin interesat e shtetit të Kosovës.

Yagcilar: Ne përkrahim interesat e shtetit të Kosovës

“Edhe unë bashkë me deputetët e  subjektit tim politikë  e kam përkrah  dhe në të ardhmen do të vazhdoj  ta përkrah  çdo zhvillim  në dobi të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt  edhe propozimi i marrëveshjes  gjithëpërfshirës  në mes Kosovës dhe Serbisë është një hap  drejt fuqizimit  të shtetit dhe rregullimit  të marrëdhënieve normale dhe miqësore  me Serbinë. Në parim e përkrah dokumentin  e propozuar  dhe do të jem pjesë aktive  e plotësimit dhe zbatimit”, ka thënë Yagcilar.

Sa i përket mallrave që kanë hyrë në Kosovë, para vendosjes së masës 100 për qind, ministri i Ekonomisë Bedri Hamza ka thënë se duhet të shikohen interesat e bizneseve kosovare, në mënyrë që ato mos të dëmtohen me këtë masë të vendosur.

Ndërsa, sa i përket propozim-vendimit për themelimin e komitetit ndër-ministror për integrim në NATO, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka kërkuar të ketë një korrigjim në këtë propozim-vendim.

Hoxhaj: Emri më i saktë është anëtarësim në NATO, e jo integrim

“Emri më  i saktë do të ishte anëtarësim në NATO, meqë nuk përdoret fjala integrim në NATO, ne themi integrime euroatlantike, por ideja është  për anëtarësim në NATO. Mund ta keni menduar si fazë paraprake  të bashkëpunimit me NATO, por terminologjia që përdoret  është integrim në NATO, të anëtarësohet në NATO. Por, nuk po insistoj ta ndryshoni ju, sepse e keni pas një arsye të fortë. Nuk synoj që ta modifikoj”, ka thënë Hoxhaj.

Kabineti qeveritar ka aprovuar  këtë propozim-vendim. Në mbledhjen e sotme këta të fundit kanë aprovuar edhe  projekt-rregulloren për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Po ashtu edhe propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i qarkores së Gjakovës, zgjerimi i rrugës Gjakovë-Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat