Ambasadori francez: FSK mund të shkoj në veri vetëm me lejen e KFOR-it

Aktuale

Ambasadori francez: FSK mund të shkoj në veri vetëm me lejen e KFOR-it

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 00:57
Ushtria e Kosovës

Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chambert, ka bërë thirrje që FSK-ja përveç zbatimit të planit 10-vjeçar të tranzicionit në Ushtri, duhet të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve me NATO-n.

Chambert ka thënë se mënyra se si është miratuar ushtria nuk ka qenë bindëse për NATO-n dhe anëtarët e saj.

“Ligjet tashmë kanë kaluar dhe Franca e merr parasysh këtë vendim nga Parlamenti. Tani është koha për të ecur përpara dhe kjo nënkupton dy gjëra. E para, që të nisë zbatimi i planit 10-vjeçar të tranzicionit, që është miratuar nga ana e FSK-së. E dyta, është që të ketë fokusim në marrëdhëniet me NATO-n. Siç e keni parë në deklaratën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, mënyra se si është miratuar nuk ka qenë bindëse për NATO-n dhe strukturat e saj e anëtarët”, ka thënë ambasadori francez.

“Tani është koha për Kosovën dhe FSK-në që të rinisin bashkëpunimin me NATO-n dhe të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë NATO. Besoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të konfirmohen shumë shpejt të gjitha marrëveshjet ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it”, ka thënë Chambert.

I pyetur nëse FSK-ja mund të shkojë në veri të Kosovës, Chambert ka thënë se ata duhet të marrin leje nga KFOR-i për të vepruar në veri.

“Mund të shkojë, por me dritën e gjelbër të KFOR-it. Nuk është se nuk ka të drejtë të shkojë në veri, por e dini se për sigurinë e Kosovës, FSK-ja mbetet furnizues i rëndësishëm i sigurisë për vendin dhe ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është që të jetë në koordinim me ata që janë çdo ditë në terren për sigurinë e vendit”, ka thënë Chambert.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat