6 milionëshi përplas ministrin Ismajli dhe deputetin e LDK-së, Avdullah Hotin

Aktuale

6 milionëshi përplas ministrin Ismajli dhe deputetin e LDK-së, Avdullah Hotin

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 12:22
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili

(E plotësuar) - Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli sot ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Por mollë sherri për diskutim në mes ministrit Ismajli dhe deputetit Avdullah Hoti ishte keqpërdorimi i gjashtë milionë eurove të barnave të listës esenciale.

Gjatë kësaj mbledhje, komisioni shqyrtoi raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.

Ministri Ismajli u shpreh se rritja e çmimeve për barna është bërë në mënyrë astronomike dhe nuk ka pasur kontroll, andaj ka kërkuar që një dukuri e tillë të mos përsëritet.

Ai tha se  për këtë çështje nuk ia ka drejtuar gishtin asnjë personi, dhe fal  hulumtimit të tregut kanë arritur të blejnë barna me një çmim më të lirë për 6 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

Ismajli: Asnjëherë nuk ia kam lënë fajin një personi

“Të paktën me e pasur një hulumtim të tregut si bazë, mirëpo gjithnjë është marrë një parallogaritje kështu e brendshme për mënyrën se si blihet bari. Sistematike është kjo kur nuk ke menaxher të kontratave nuk ka përgjegjësi individuale, është munduar të shpërndahet përgjegjësia dhe kur është shpërndarë përgjegjësia secili njeri ndoshta e ka abuzuar nga pak sistemin dhe ndoshta është ardhur në një gjendje të tillë. Unë nuk po ia lë dhe asnjëherë nuk ia kam lënë fajin një personi, asnjëherë nuk ia kam ngritur gishtin vetëm një personi. Ne kemi blerë barna 6 milionë euro më lirë se vitin e kaluar 6.02, pra barnat janë të njëjta të listës esenciale nuk kemi shpikur barna të rinj”, ka deklaruar Ismajli.

Për këtë çështje reagoi anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i cili u shpreh se pret që nga ministri të shohë veprime për të parë se nga kush janë keqpërdorur mbi 6 milionë euro, pasi që nëse ai nuk e bën këtë, të tjerët duhet t’i bëjnë këto veprime

Hoti: Kush i shpërdoroi 6 milionë euro?

“Unë e kuptoj se të gjithë jemi të veshur nga një petk partiak dhe nganjëherë duke e mbrojtur një qëndrim të caktuar, por kur ke pozitë publike duhet me qenë i përgjegjshëm se çka thua, sepse për çdo fjalë duhet me dhënë përgjegjësi dhe unë kam frikë se disa prej zyrtarëve publikë në këtë rast përfshirë edhe ju. Për shkak të këtij deklarimit që keni dhënë, tentojnë të dalin më mirë para elektoratit, para qytetarëve, para partisë së vetë jo duke punuar më shumë por duke i sha të tjerët duke i bërë të tjerët më u duk më keq, në mënyrë që ti me u duk më mirë. Nuk bën ashtu, ti duhet me punua më shumë. Për çdo shkelje që është bërë në të kaluarën dhe tash janë organet përkatëse të jemi të përgjegjshëm kur flasim publikisht, sepse kur thua 6 milionë eurosh ka pasur janë shpenzuar në afera korruptive neve sot këtu duhet me na e thënë X, Y i ka marrë këto mjete, me këtë datë“, ka dekla ruar ai.

Përgjigje direkte pati ministri i Shëndetësisë, i cili tha se nuk është në dikasterin e tij që të tregojë se kush i ka marrë ato mjete dhe ku kanë shkuar.

Ismajli tutje deklarimet e Hotit i ka konsideruar si tentime për frikësime  për ekspozim të aferave korruptive derisa e ritheksoi se në blerjen e barnave esenciale ka pasur korrupsion klasik.

Ismajli: Po tentoni me më frikësuar që kam ekspozuar aferat korruptive

“Korrupsion klasik ka pasur jo mbaj përgjegjësi, mbajnë  përgjegjësi ata që kanë blerë barnat më shtrenjtë. Zotëri Hoti lëri deklaratat unë po them mban përgjegjësi,  mos u mundoni është mirë me u distancua sa më shpejt nga aferat korruptive të blerjes së barnave.  6 milionë janë fakte për blerje të barnave i ke të dokumentuara...Është mirë mos u mundo me krijua një mjegull rreth asaj çështje, është bardh e zi. Ti mbaj konferenca për media kur të duash thuaj çka të duash atje, vetëm dije se ki me mbajt përgjegjësi për çdo fjalë që thua. Unë konsideroj se jeni duke tentuar për të frikësuar për afera korruptive, direkt, por ta them je duke tentuar. Unë as nuk jam frikësuar kur  e kam nis këtë punë“, u shpreh Ismajli.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli po ashtu shtoi se nuk ka mundur t’i mbyll sytë para një keqpërdorimi të parave për blerje të barnave të  listës esenciale.

Pas kësaj përplasje, deputeti Avdullah Hoti e ka lëshuar mbledhjen.

Anëtari tjerët i këtij komisioni nga LDK-ja, Driton Selmani shtroi disa pyetje rreth avanceve  dhe ngriti si çështje blerjen më të madhe të  insulinave për këtë vit.

E  në përgjigjen e tij, ministri Ismajli tha se për avancet janë keqpërdorur në masë të madhe dhe për këtë arsye janë arrestuar 6 persona. Derisa theksoi se blerja më e madhe e insulinave ka rezultuar nga  kërkesat e institucioneve publike.

Ismajli: Insulinat i blejmë në bazë të kërkesave të institucioneve publike

“Kemi vërejtur se gjatë viteve të kaluara avancet janë keqpërdorur në masë të madhe, ose barazimi i tyre nuk ka ndodhur, sistemi i avanceve është goxha i thjeshtë, por edhe lë shenjë. Nuk kanë qenë kërkesat reale atë e gjeni edhe në raportin e auditorit që kërkesat reale të institucioneve nuk janë të paraqitura drejt, ne blerjen e bëjmë në bazë të kërkesave të institucioneve publike, nuk bëmë blerje pse ne kemi menduar se kemi kaq persona sepse ata i marrin edhe në mjekësinë primare”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe raporti i Auditimit të performances " Lista esenciale e barnave" ku thuhej se nuk menaxhohet mirë lista esenciale e barnave, ka mungesë të madhe të barnave në një pjesë të kohës, barnat që porositen vonohen deri në 240 ditë etj.

E lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli u shpreh se mungesa e revidimit të listës së barnave esenciale ka ndikuar që pacientët të mos marrin trajtimin e duhur.

Sipas tij, tani me ardhjen e tij në krye të sektorit të shëndetësisë janë duke u marrë edhe me revidimin e kësaj liste përmes së cilës direkt do të ndikohet në xhepin e pacientëve.

Përplasje e fortë për miliona euro barna, ish-ministri i Financave lëshon takimin

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti janë përplasur në Komisionin për Financa lidhur me keqpërdorimin e gjashtë milionë eurove të barnave të listës esenciale.

Hoti, ka kërkuar nga Ismaili që të ketë kujdes dhe nëse ka fakte t’i drejtohet hetuesisë lidhur me keqpërdorimin e miliona eurove dhe të ndal etiketimet.

Ismaili i është kundërpërgjigjur duke thënë se ky është tentim për frikësim me qëllim që atij t’i mbyllet goja dhe të mos flas për gjashtë milion eurot e keqpërdorura.

Pas këtij debati Hoti i LDK-së ka lëshuar mbledhjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat