Shala: Origjina e produkteve të importuara nga 21 dhjetori me flamur

Aktuale

Shala: Origjina e produkteve të importuara nga 21 dhjetori me flamur

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 13:33
Foto

Përveç rritjes së inspektimeve në tregun e brendshëm, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Doganën po parandalojnë futjen në treg të çfarëdo malli që mund të jetë i rrezikshëm për përdorim nga ana e konsumatorit.

Kështu ka thënë ministri i MTI-së Endrit Shala sot në tryezën për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë.

Ministri Shala përmendi faktin se fokusi i tij do të vazhdojë të mbetet mbrojtja e konsumatorit në raport me cilësinë e produkteve.

Ai ka shtuar se vendimet e deritanishme dëshmojnë se MTI po e mbron konsumatorin.

Shala ka thënë se urdhëresa për ndalimin e shitjes së duhanit, alkoolit për moshën nën 18 vjeç dhe ndalimi shitjes së lodrave që kanë rezultuar të jenë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, janë në vazhdën e prioriteteve për mbrojtjen e konsumatorit.

Shala: MTI është zotuar që të vazhdojë të përmirësojë pozitën e konsumatorit

“Angazhimi i jon si autoritete kompetente në avancimin e pozitës dhe të drejtave të konsumatorëve, përveç se paraqet domosdoshmëri personale dhe njerëzore, është gjithashtu një obligim ligjor dhe institucional për avancimin e proceseve të zhvillimit. MTI është zotuar që të vazhdojë të përmirësojë pozitën e konsumatorit gjithashtu përmes hartimit të legjislacionit sekondar si dhe ngritjes se bashkëpunimit me të gjitha organet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit për një ambient sa më të përshtatshëm për të gjithë ne sikurse parashihet edhe në Programin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, ka thënë Shala.

Po ashtu ai ka thënë se rëndësi të veçantë për vendin është mbështetja e prodhimeve vendore që cilësia e tyre të jetë konkurruese jo vetëm në tregun tonë, por edhe në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu Shala duke folur për kriteret të cilat do të fillojnë për origjinën e produkteve, ka ripërsëritur se taksa ndaj mallrave të Serbisë do të vazhdojë.

Shala: Taksa ndaj mallrave serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi

“Te çështja e origjinës së produktit dua t’ju informoj juve dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky nen i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit hyn në fuqi më 21 dhjetor. MTI, i ka bërë të gjitha përgatitjet, dhe aktet nënligjore të cilat tash janë diskutim publik dhe diku më datën 24 edhe ai akt nënligjor do të hyj në fuqi. Me këtë akt nënligjor por edhe me ligjin përcaktohet që secili produkt në vendin ku e ka çmimin në anën e majtë në madhësi të çmimit duhet ta ketë edhe flamurin e origjinës së atij produkti. Ajo madhësi nuk guxon të jetë më e vogël se 4 centimetra gjerësi dhe 2 centimetra lartësi... Kurse sa i përket tek çështja e taksës, taksa do të vazhdoj të mbetët në fuqi”, tha ai.

Valdet Gjinovci, kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ka thënë se kjo Agjenci çdoherë punon për të garantuar një nivel të lartë të cilësisë së produkteve. Gjinovci shtoi se janë të përkushtuar që përmes inspektimeve të largojnë nga tregu ato produkte të cilat nuk përmbajnë cilësinë e duhur dhe rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve.

Gjinovci: AUV punon për nivel të lartë të sigurisë ushqimore

“AUV gjithherë punon për të garantuar nivel të lartë të sigurisë ushqimore, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, të cilën edhe e realizon përmes zbatimit të kontrolleve zyrtare të rregullta që ne si autoritet i ushtrojmë sipas planeve nacional”, ka thënë Gjinovci.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka thënë se mbrojtja e konsumatorëve është prioritet në strategjinë e Klubit, dhe ka ende disa individ të cilët shesin produkte jo cilësore.

Panxha ka thënë se duhet të merren masa ndaj atyre operatorëve të cilat nuk plotësojnë kriteret për produktet. Ai kërkoi edhe kontroll më të rreptë në kufij.

Panxha: Ka individ të papërgjegjshëm në sektorin e mishit

“Ka individ të papërgjegjshëm, kemi rastin e sektorit të mishit ku ata operatorë të papërgjegjshëm të dënohen dhe të mbyllen fabrikat, që të ketë vetëm produkte të cilat i plotësojnë standardet dhe prodhues të cilët janë të përgjegjshëm”, ka theksuar Panxha.     

Sherif Fejzullahu nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se ngritja e vetëdijes së konsumatorit për cilësi është prioritet i MTI-së dhe këtij Këshilli.

Fejzullahu: Kemi punuar mjaft për vetëdijesimin e konsumatorëve

“Me këshillin gjatë këtyre tetë muajve kemi mbajtur dhjetë takime, kemi realizuar katër konferenca me tema të ndryshme për ta bërë konsumatorin me një besim ndaj institucioneve tona dhe për të denoncuar ato me të cilat ai ballafaqohet çdo ditë”, theksoi Fejzullahu.

Ndërsa kryeshefi i Inspektoratit të MTI-së, Lulzim Syla ka thënë se gjatë 2018 kanë marr një varg aktivitetesh, duke përmendur punën e inspektoratit në mbrojtje të konsumatorit. Sipas tij, janë realizuar mbi 1400 inspektime tek operatorët ekonomik në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Janë marrë mbi 440 mostra të produkteve të naftës dhe është me rëndësi të theksohet se janë asgjësuar 17 mijë lodra, pasi këto lodra kanë rezultuar se janë të rrezikshme pas analizave që janë bërë dhe janë kthyer mbi 20 importe në vend të origjinës pasi nuk i kanë plotësuar kriteret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat