Hoxhaj që dikur shijonte rakinë serbe në mes të Prishtinës, tenton t’i marrë meritat për taksat ndaj produkteve serbe

Aktuale

Hoxhaj që dikur shijonte rakinë serbe në mes të Prishtinës, tenton t’i marrë meritat për taksat ndaj produkteve serbe

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 19:39
Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, sërish është përpjekur t’i marrë lëvdatat për taksën prej 10 për qind që Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndaj mallrave serbe muaj më parë, për ta zëvendësuar më pas me atë 100 për qind. Në Info Magazine, Hoxhaj sot sërish përsëriti qëndrimin se taksa prej 10 për qind ishte iniciuar prej tij dhe se për këtë kushdo që dyshon mund ta pyes kryeministrin Haradinaj.

“Taksa prej 10% fillimisht është iniciuar si ide prej meje dhe për këtë mund ta pyesni edhe kryeministrin Haradinaj. Përtej kësaj taksa nuk ka qenë e drejtuar kundër dialogut më shumë është lëvizje e shahut në politikën bilaterale sesa në atë të ringut dhe të boksit”, ka thënë Hoxhaj.

Madje, kur ishte marrë vendimi për taksën prej 10 për qind, Hoxhaj ishte shtrirur si patriot i vërtet, duke bërë thirrje për bojkotim total të produkteve serbe.

Por, duket se ai kishte harruar se dikur i mbështeste bizneset serbe dhe i shijonte produktet e tyre në mes të Prishtinës.

Javë më parë Periskopi raportoi se si në prill të këtij viti, Oda Ekonomike e Kosovës kishte organizuar një Panair të bizneseve, në të cilin më së shumti hapësirë u ishte dhënë bizneseve serbe. Në Panairin e dominuar nga bizneset serbe, nuk kishte marrë pjesë asnjë biznes nga Shqipëria.

Pjesëmarrja e bizneseve serbe në atë Panair ishte promovuar vazhdimisht nga zyrtarë qeveritar. Njëri nga ta ishte edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. Ai dikur promovonte bizneset serbe e shijonte rakinë e tyre, ndërsa sot u bën thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë ato produkte.

Por, pikërisht Hoxhaj muaj më parë në Panairin e Bizneseve që u mbajt në Prishtinë, kishte përgëzuar pjesëmarrjen e bizneseve serbe aty.

Madje, Panairi i organizuar në prill nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte dominuar nga produktet serbe, gjë që e kishte mirëpritur edhe Hoxhaj.

Në atë panair, ai madje kishte përzgjedhur të shijonte rakinë e një biznesi serb.

Gjatë tërë Panairit, Hoxhaj kishte qëndruar më i afërt me bizneset serbe dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cedaz, me të cilin vendosi të festonte hapjen e Panairit në Kosovë.

Por, Hoxhaj ndryshoi qëndrim për pak muaj.

Tani, ai përpiqet t’i marrë lëvdatat për vendimet e Qeverisë për taksën, të cilat goditën importuesin më të madh në Kosovë [Serbinë], ku sipas të dhënave zyrtare janë rreth 400 milionë euro në vit që importohen produkte nga ky shtet.

Gjatë vizitës në atë panair, Hoxhaj nuk kishte thënë asnjë fjalë të vetme për mospjesëmarrjen e bizneseve nga Shqipëria, të cilat kishin vendosur ta bojkotojnë.

Kështu në atë Panair, nga 174 kompani, prej tyre 70 ishin nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat