Alpinisti Nazmi Hasanramaj: Vështirësitë janë materiale

Alpinizem

Alpinisti Nazmi Hasanramaj: Vështirësitë janë materiale

Nga: Kemajl Goca Më: 4 prill 2019 Në ora: 15:43
Nazmi Hasanramaj

Alpinizmi dhe bjeshkataria shikohen me një simpati nga të gjitha gjeneratat dhe gjinitë në shtetin e Kosovës! Këto sporte vlerësohen si ekstreme, sidomos alpinizmi, për shkak se mund të ballafaqohesh edhe me të papriturat gjatë ngjitjes drejt majes, por në anën tjetër ka edhe kënaqësinë e saj. Alpinizmi kërkon përgatitje qoftë fizike qoftë psikike dhe në çdo aspekt të jesh i përgatitur, para se t’ia mësysh majeve më të larta në botë.

Image

Alpinistët Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, trimat e Kosovës, më 22 maj të vitit 2017, kishin pushtuar Everestin dhe ngrenë flamujt kombëtar e shtetëror në majën më të lartë të botës. Alpinisti Hasanramaj, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka folur se sa ndihmohet alpinizmi-bjeshkataria, a kanë vështirësi, sa mjete financiare duhet për t’u realizuar pushtimi i majës siç është Everesti dhe cilat janë synimet e tija.

“Bota sot”: Alpinizmi-bjeshkataria, pra klubi alpin Prishtina, sa përkrahet e ndihmohet nga institucionet e Kosovës, sidomos nga Kuvendi Komunal i Prishtinës?

Nazmi Hasanramaj: Të gjitha OJQ-të duhet të jenë të artikuluara në raport me Komunën e Prishtinës, sepse ekzistojnë parametra të caktuar të cilët duhet të plotësohen. KAP është mjaft i përgatitur në përgatitjen e planeve dhe projekteve të natyrës alpine dhe sociale, prandaj konsideroj se jemi në raport të mirë me KK Prishtinë. Vështirësi paraqet niveli qendror, psh MKRS, sepse në këtë ministri ekziston një lloj kaosi dhe shpesh nuk përkrahen subjektet të cilat kanë bërë shumë për sportin dhe vendin në përgjithësi.

Image

“Bota sot”: Sa është vështirë të merresh me këtë sport?

Nazmi Hasanramaj: Bjeshkataria është mënyrë jetese, jo sport. Alpinizmi është sport dhe ka gradime dhe pikë, prandaj është edhe sport olimpik. Vështirësitë janë kryesisht materiale sepse çdo njëri do të merrej sadopak po t’i jepej mundësia. Gjithashtu, duhet ta theksoj se nëse zhvillohet dhe aplikohet sipas parametrave të duhur, është i parrezikshëm dhe përmirësues i kualitetit të jetës.

Image

Arineta Mula e Nazmi Hasanramaj

“Bota sot”: A ka shumë të rinj e të reja që janë të interesuar për bjeshkatari-alpinizëm?

Nazmi Hasanramaj: KAP i ka të ndarë sektorët (Sektori i Alpinizmit, S.i Bjeshkatarisë, S. i Çiklizmit Malor, S. i Scout dhe S. i Përgjegjësisë Sociale). Interesimi është i madh, ndërsa stafi ynë jemi duke u certifikuar tutje, si dhe duke u artikuluar çdonjëri në drejtimin e sektorit të vet. Psh, vetëm vitin e kaluar i kemi pasur 60 kampe me fëmijë. E vetmja që na duhet, janë veglat shtesë të punës si dhe fuqi më e madhe informuese; dhe këtu mund të na ndihmojë MKRS.

“Bota sot”: Me 22 maj të vitit 2017 Ju dhe Arineta Mula, u ngjitët në 8848 metra lartësi mbidetare, pra në Mount Everest, në ekspeditën që zgjati 66 ditë. Sa ishte e vështirë dhe e kushtueshme, kur dihet se pak ose aspak nuk u ndihmuat nga shteti?

Nazmi Hasanramaj: Jemi ndihmu nga shteti, pjesërisht, por nuk mund të quhet ndihmë për arsye se realisht ky është investim në sport dhe zhvillim. Vështirësitë janë të shumta në një ngjitje të tillë, por ia vlen nëse është ekspeditë e organizuar dhe e artikuluar mirë.

Image

Arineta Mula e Nazmi Hasanramaj me flamurin kombëtar

“Bota sot”: Të arrish pushtimin e një maje siç është Mount Everest, duhet një përgatitje speciale, por edhe sa mjete financiare?

Nazmi Hasanramaj: Financiarisht ka koncepte të ndryshme nga 40.000.00 e deri në 120.000.00 euro. Megjithatë kjo nuk e garanton sigurinë dhe ngjitjen e suksesshme. Përveç kësaj, shuma e mjeteve financiare nuk garanton as kthimin në rast se nuk e arrin majen e Everestit, prandaj një grup alpinistësh që e synon Everestin duhet të konsultohet dhe të përgatitet jashtëzakonisht shumë.

“Bota sot”: Për të qenë një alpinist-bjeshkatar i kompletuar profesionalisht, sa mjete financiare i duhen?

Nazmi Hasanramaj: Nuk është esenca vetëm te mjetet financiare, por së pari është pasioni dhe preferenca për këtë sport. Gjithsesi kultura sportive duhet të jetë platformë, pastaj është qasja ndaj natyrës dhe kultura e përgjithshme e individit.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e Nazmiut, cila është maja që synoni ta pushtoni?

Nazmi Hasanramaj: Ngjitjet e mia nuk është sa kanë shumë karakter individual. Unë zakonisht e vlerësoj punën ekipore, prandaj planet e mia janë të koordinuara me KAP dhe kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorëve të lartpërmendur. Sidomos puna në turizëm dhe promovim është një prej caqeve. Sa ju përket ngjitjeve, KAP ka plane afatmesme dhe afatgjata dhe ato do të publikohen me kohë.

Image

“Bota sot”: Çfarë iu ka dëshpëruar më së shumti deri me tash?

Nazmi Hasanramaj: Asgjë; çdo pengesë apo problem duhet të shihet si sfidë dhe të trajtohet konform natyrës dhe rrjedhave aktuale. Nëse e keni fjalën për institucionet tona, prapë nuk është se duhet të dëshpërohemi nga përformanca e dobët dhe mungesa e vizionit. Duhet ti luftojmë dukuritë negative dhe të fokusohemi në edukim dhe ruajtje të ambientit, sepse këto të dyja janë e ardhmja dhe trashëgimia më e mirë për gjeneratat tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat