Alpinistja nga Kosova që u ngjit në Everest: Kaluam nëpër kufoma - Bota Sot
Alpinistja nga Kosova që u ngjit në Everest: Kaluam nëpër kufoma

Alpinizem

Alpinistja nga Kosova që u ngjit në Everest: Kaluam nëpër kufoma

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 22:32
Mrika Nikçi

Të premten në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Arianit dhe Mrika Nikçi ateruan në Kosovë.

Pas udhëtimeve të shumta dhe ngjitjes në majën më të lartë të botës, malit Everest (8848), babë e bijë me prejardhje nga Peja kanë rrëfyer në një konferencë të hapur për media eksperiencën e tyre më të veçantë.

“Së pari faleminderit prej të gjithëve që më keni përkrahur prej fillimit dhe jeni ardhë me na prit, eksperienca ime në ngjitjen e këtyre majave, në secilën majë ka qenë e ndryshme dhe jam ballafaquar edhe me probleme, pro edhe me kënaqësi të ndryshme”, ka thënë fillimisht Mrika Nikçi.

Duke vazhduar tutje, 17-vjeçarja ka bërë të ditur se ishte njoftuar me rreziqet që mund të haste rrugës, por që dëshira për t’u ngjitur në majat e botës e bënte të mos dorëzohej.

“Sa i përket rreziqeve, po filloj me Everestin, për shkak që mund të them që ka qenë një ndër majat më të rrezikshme që unë deri më tani kam ngjit, pasi që në fillim para se të nisemi për në ekspeditë, unë me babanë tim jemi ulë dhe kemi studiuar majat shumë mirë, kemi studiuar rrugë, rreziqe që mund të ndodhin, dhe e kam ditur nëse do të shkoj në Everest do të më bie të kaloj edhe nëpër trupa të vdekur, era të ndryshme, lartësi dhe ajër në mungesë”, është shprehur tutje Mrika.

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë, pejania nuk ka hezituar të flasë edhe për gjërat më interesante që i kanë krijuar përshtyoje që në fillim.

“Ajo çfarë më ka lënë më shume përshtypje ka qenë Kongo, sepse hera e parë kur jemi nisur për atje ka qenë ora 2 pas mesnate dhe ka qenë errësirë, dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur kur ishim duke ecë dhe një zhurmë e madhe është ndjerë edhe e kemi kthyer kokën nga njëri-tjetri, dhe vetëm kemi parë se një akullnajë është shembur, dhe në vendin ku është shembur ne ishim vetëm pesë minuta më herët aty”, ka potencuar tutje alpinistja.

Babë e bijë treguan para mediave se gjatë këtyre ekspeditave, ata janë ndeshur edhe në kufoma, gjë të cilën nuk e kanë përjetuar edhe aq mirë emocionalisht.

“Mund të them se nuk e di si i kam përjetuar kufoma, i kemi pa pesë kufoma rrugës, ne kemi qëndruar në kampin 2 sepse kishte mungesë të bombolave të gazit dhe ishte në pikëpyetje nëse ekspedita jonë mund të vazhdohej apo jo edhe kemi qenë të përgatitur, sepse njerëzit tanë na thonin: “Bëhuni gati se do shihni kufoma rrugës””, tha Mrika.

Një problem i vogël ishte shfaqur pak para arritje në majë të Everestit, por që për Nikçin tashmë ëndrra ishte shumë pranë realizimit, dhe ngrirja e maskës nuk përbënte ndonjë problem shumë të madh për të.

“20 minuta para majës, maska e oksigjenit më është ngrire dhe në atë moment sasia e oksigjenit ka shkuar duke më u zvogëluar dhe më është dashur kohë pas kohe ta heqë maskën për të marrë frymë në atë lartësi të madhe, po kam qenë shumë e lumtur sepse ishim shumë afër majës dhe nuk e kam ndjerë mungesën e madhe të oksigjenit dhe kam arritur të shkoj në majë dhe të kthehem shëndosh e mirë bashkë me babin”, ka treguar Mrika Nikçi.

Pas përfundimit të konferencës, babë e bijë janë shoqëruar për në shtëpinë e tyre në Pejë, ku janë mirëpritur ngrohtë nga familjarët dhe bashkëvendasit e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...