Ekspedita - Ararat 2020

Alpinizem

Ekspedita - Ararat 2020

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 25 gusht 2020 Në ora: 23:39
Ekspedita - Ararat 2020

Mali Ararat apo Ararati i Madh (tur. Büyük Ağrı Dağı), është një kupë vullkanike (vullkan pasiv) në Anadollinë Perëndimore të Turqisë, në kufi me Armeninë dhe Iranin. Erupcioni i fundit vullkanik ka ndodhur në vitin 1840.

Ararati me një lartësi mbidetare prej 5.137 metrave është maja më e lartë në Republikën e Turqisë dhe një nga majat më prominente në Azinë Perëndimore; e shprehur në numra, prominenca gjeografike e tij është 3.611 m. (Definicioni: prominenca e një mali është diferenca ndërmjet lartësisë së tij dhe qafëmalit të tij më të lartë, deri te i cili të paktën duhet zbritur, për të filluar ngjitjen në një mal tjetër më të lartë.

Rrjedhimisht prominenca është një masë e cila tregon pavarësinë e një mali, majë apo kodre). Araratit apo më saktësisht malësia e tij është vendlindja dhe mëmëdheu i gjysmënomadëve të varfër kurdë (por edhe armenë e turq), bagëtitë e të cilëve gjatë muajve të verës kullosin shpateve të tij. 

Ararati është një mal botërisht i njohur dhe i veçantë, jo për arsye të kërkesave alpiniste, por falë bestytnive, legjendave të shumta dhe mitologjisë biblike që lidhen me të. Sipas Dhjatës së Vjetër, Perëndia i kërkoi Noas të ndërtojë një arkë tre katëshe, nga druri rrëshinor, 300 kute të gjatë, 50 kute të gjerë dhe 30 kute të lartë; për dritë, të hapë një dritare një kut poshtë kulmit, dhe arkën nga brenda e nga jashtë, ta lyejë me zift.

Pastaj në arkë të marrë dy nga çdo lloj krijese të gjallë, një mashkull dhe një femër, për t’i shpëtuar nga një përmbytje e madhe që do ta kaplojë Tokën, meqë në sytë e Perëndisë, bota ishte mbushur plot dhunë dhe çdo njeri ecte rrugës së shtrembër (Zanafilla 6:11-20). Pas 150 ditësh, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë, pas ndaljes së shiut dhe largimit gradual të ujit nga Toka, Noa kishte zbarkuar në malin Ararat (Zanafilla 8:2-4).

Ngjitja e parë, e dokumentuar, e këtij mali është realizuar në vitin 1829, nga studiuesi dhe bjeshkatari gjerman Johann Jakob Friedrich Wilhelm Dr. Parrot. Në shenjë kujtimi dhe respekti për studiuesin në fjalë, një majë mbi 4.000-metërshe në Alpe, e mban emrin e tij, Parrotspitze 4.432 m/lmd. Ndërkaq ngjitja e parë kosovare, e organizuar dhe e udhëhequr nga Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni, është realizuar më 02 qershor të vitit 2013. 

Për dallim nga rrugëtimi biblik i Noas me pasagjerët e shumtë, ekspedita kosovare “Ararat 2020” e organizuar nga klubi bjeshkatar “Kosovo Mountain Club”, nën drejtimin e Adriatik Gacaferit, ka zgjatur tetë ditë, nga 16 gushti deri me 23 gusht 2020. Pjesëmarrës kanë qenë: Adriatik Gacaferi (udhëheqës në bjeshkë), Alnderim Çelohoxhaj, Ardit Gagica, Arianit Gashi, Erlisa Zherka, Fazli Fazliu, Fjolla Efendiu, Gani Krasniqi, Hasan Krasniqi, Ismet Hashani, Mimoza Dërguti, Myrvete Krasniqi, Rinor Kadria dhe Rinor Nishevci (renditja sipas alfabetit), gjithsejt 14 bjeshkatare dhe bjeshkatarë, 13 nga Republika e Kosovës me një përforcim nga Republika e Shqipërisë.

Kjo ekspeditë ka qenë 100% e suksesshme ngaqë të gjithë pjesëmarrësit, të udhëhequr nga Adriatiku dhe dy udhëheqës përcjellës vendorë nga “Ararat Adventures”, e kanë arritur majën me 21 gusht 2020, në ora 08:04 të mëngjesit, sipas kohës lokale. 

Përpos ngjitjes së majës, pjesëmarrësit e ekspeditës e kanë vizituar edhe kishën armene Akdamar, në ishullin Akdamar në Liqenin e Vanit, kalanë e qytetit Van, një kopsht zoologjik në Van, të ngritur enkas për një lloj shumë të rallë të maceve, të njohura nën emërtimet, macja e vanit apo macja turke si dhe pallatin e Isak pashës në Doubejazit (Doğubeyazit).
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës FBAK-u i përgëzon të gjithë pjesëmarrësit e ekspeditës “Ararat 2020” sipas traditës, me togfjalëshin “urime ekipi”.
Më 25.08.2020, Abdurahim Abdushi, alpinist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat