Kërkim-shpëtimi malor i FSK-së dhe i Pejës në operacion shpëtimi

Alpinizem

Kërkim-shpëtimi malor i FSK-së dhe i Pejës në operacion shpëtimi

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 24 shtator 2020 Në ora: 23:09
Fotografia: shpëtimtarë, ju lumtë, sa mirë që ju kemi!

Pejë, 21 shtator 2020 - Katër bjeshkatarë të Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste “Gjeravica” të Pejës, gjatë një ecjeje bjeshkatare në Bjeshkët e Rugovës, e kishin humbur orientimin në natyrë. Në përpjekje e sipër që të kthehen në shteg, një nga bjeshkatarët aksidentalisht kishte rrëshqitur përgjatë një shpati, dhe pas disa rënieve nga lartësia ishte ndalur në një vend shumë kritik, në një cep të varur të një shkëmbi, 50 metra mbi tokë. E gjithë kjo ka ndodhur në afërsi të Liqenit të Drelajve, në zonën kufitare me Malin e Zi. 
Evakuimi i të lënduarit pa pajisje profesionale, shkaku i pjerrësisë së shpatit, lagështisë dhe myshqeve në terren, ka qenë i pamundur. Andaj bjeshkatarët kanë kërkuar ndihmë, fillimisht nga organet dhe shërbimet lokale pastaj edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Operacioni për evakuimin e të lënduarit, në kushte nate, nën udhëheqjen e një efektivi të Njësitit të Kërkim - Shpëtimit të Gardës Kombëtare të FSK-së, ka filluar në orët e vona të 21 shtatorit, dhe ka përfunduar suksesshëm në mëngjesin e së nesërmes. 
Me arritjen në vendngjarje, afro 70 metra mbi të aksidentuarin, ushtarakët tanë fillimisht e kanë ngritur një bazë ankoruese dhe sistemin makara me avantazh mekanik për tërheqje të të aksidentuarit me barelë. Pastaj janë lëshuar me litarë deri te i aksidentuari, të cilin pas dhënies së ndihmës së parë e kanë tërhequr nga zona e rrezikut.

Image

Fotografia: Evakuimi i bjeshkatarit të aksidentuar. 

Operacioni i shpëtimit ka përfunduar me dorëzimin e të lënduarit në Spitalin Rajonal të Pejës. 
Efektivi i FSK-së, operacionin e ka realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, zjarrfikësit vendorë, ndërsa evakuimin e bjeshkatarëve e ka bërë në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim - Shpëtimit Malor, “Peja”.

Image

Fotografia: bartja e bjeshkatarit të aksidentuar.

Familjarët e të aksidentuarit, përmes një postimi në rrjetin social “facebook”, falënderojnë Ministrinë e Mbrojtjes, të Republikës së Kosovës, Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit Malor Peja, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit e Pejës, shërbimin emergjent të Spitalit Rajonal të Pejës, banorët e fshatit Drelaj dhe mbesin me shpresë që askënd nuk e kanë harruar.
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës i bashkangjitet këtyre falënderimeve, ndërsa të lënduarit i dëshirojnë shërim të shpejtë, qoftë e shkuar dhe e harruar.

Më 24 shtator 2020, për Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, Abdurahim Abdushi, alpinist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat