Libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” - Në duart e lexuesve!

Alpinizem

Libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” - Në duart e lexuesve!

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 6 tetor 2020 Në ora: 16:17
Kopertina e librit

Këto ditë në botim të Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës (FBAK), doli nga shtypi libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, i shqipëruar nga Prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi. Libri në fjalë është vepër e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA) në bashkëpunim me Fondacionin Petzl.

Promovimi i librit do të bëhet të marten me 13 tetor 2020, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Libri është shtypur me një tirazh prej 1.500 ekzemplarësh. Çmimi i rregullt i librit është 15,00 euro, ndërkaq për anëtarët aktivë të shoqërive dhe klubeve anëtare të FBAK-ut, ai nuk do të jetë aq sfidues, sepse është i subvencionuar nga FBAK-u dhe do të shpërndahet me një çmim prej 2,00 eurosh. Pas furnizimit të anëtarëve të FBAK-ut, ekzemplarët e mbetur do të hidhen në treg për lexuesit tjerë, me qëllim të promovimit të bjeshkatarisë dhe alpinizmit. Të gjitha mjetet e mbledhura nga shitja e librit, do të shfrytëzohen për trajnime të anëtarëve të federatës dhe për botime tjera të librit.

Image
Libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”.

Historiku

Fillimisht, në vitin 2012, libri është botuar në gjuhën frënge, me titullin “Mémento Montagne Été”. Në vitin 2013, për ta bërë të qasshëm në mbarë botën, ai është përkthyer në gjuhën angleze nga Klubi Alpin i Kanadasë (ACC), nën titullin “Alpine Skills: Summer”. Që atëherë, libri i UIAA-së është përkthyer në shumë gjuhë të botës: koreane, turke, kineze (mandarin), mongoleze, çeke, japoneze, dhe tani edhe në gjuhën shqipe. Një numër i përkthimeve të reja të librit, do të botohen në muajt e ardhshëm. Puna është pothuajse plotësisht e përfunduar në versionet në gjuhët mongoleze, tajvaneze, perse, maqedonase dhe spanjolle. Ndërsa në përkthim e sipër janë versionet në gjuhët greke, portugeze dhe rumune. UIAA-ja është në pritje të aplikimeve për përkthimin e librit në gjuhën gjermane.

Image
Libri "Alpine Skills: Summer" i përkthyer në gjuhë të ndryshme botërore.

Libri është hartuar në bashkëpunim me shumë ekspertë nga shumë vende të botës, të cilët janë pjesë e “Standardeve të UIAA-së për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë vullnetarë”, si trajnerë dhe instruktorë në shkollat e bjeshkatarisë të akredituara pranë UIAA-së. Mësimet dhe teknikat e dhëna në këtë libër janë testuar në terren, në kuadër të kurseve të shumta në mbarë botën.

Ndërsa pjesa e trajnimeve mësimore mbi përdorimin e pajisjeve për sigurim dhe lëshim (zbritje) me litarë, përmes filmave dokumentarë, është mbështetur nga Komisioni i Sigurisë i UIAA-së dhe ai i Federatës Alpine Gjermane (DAV). Këta filma, të metrazhit të shkurtër, janë në dispozicion në faqen zyrtare të UIAA-së: https://www.theuiaa.org/mountaineering/uiaa-and-dav-collaborate-on-safety-video-project/. Lexues, alpinistë të nderuar, luteni që ta vizitoni këtë faqe.

Udhëzues dhe “mësues” praktik, për situata praktike

“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” është një libër mësimi i cili i dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Libri është hartuar, si një dokument referimi, për bjeshkatarë dhe alpinistë, e posaçërisht për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë të federatave dhe klubeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), anëtare e së cilës, me të drejta të plota, që nga viti 2011, është edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK).

Image
“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, faqja e fun

Katër modulet kryesore të librit përqendrohen kryesisht në aktivitetet verore: “Njohuri themelore”, “Bjeshkatari”, “Kacavarje” dhe “Alpinizëm”. Në modulet e lartëcekura, parashtrohen shumë teknika të zakonshme dhe të provuara, të cilat duhet të mësohen dhe zotërohen, përmes trajnimeve të duhura teknike, në terren, nga instruktorë përkatës.

Shtojca e librit, e përbërë nga modulet “Komunikimi në kacavarje” dhe “Fjalorth i termave”, është e hartuar nga FBAK-u, me autor Abdurahim Abdushin, alpinist. Ajo është mirëpritur jashtzakonisht mirë nga Fondacioni Petzl, ide e cila mund të bëhet pjesë e botimit të radhës, të zgjeruar, të librit origjinal “Alpine Skills: Summer”.

Image
Libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, përmbajtja.

Për të kryer kacavarje të sigurta, kacavarësit shërbehen me komanda të shkurtra dhe të qarta. Në ambient të jashtëm, kur komunikimi me gojë është i penguar, atëherë ata janë të detyruar të shërbehen me sinjale. Këto mënyra të komunikimit ndërmjet kacavarësve, me gojë dhe me sinjale, janë të trajtuara në modulin “Komunikimi në kacavarje”.

Ndërsa në modulin “Fjalorth i termave” janë të përfshira kryesisht fjalët dhe grupet e fjalëve, nga sportet e bjeshkatarisë dhe alpinizmit, të cilat janë përdorur në këtë libër. Termat dhe grupet e fjalëve janë të shpjeguara „shkurt e shqip”, ndërsa në kllapa janë dhënë barasvlerësit e tyre, sinonimet, dhe shprehjet e përafërta në gjuhën angleze. Ky fjalorth profesional, mëton të jetë mjet pune dhe t`i shërbejë bjeshkatarëve, për t`u shprehur dhe për të komunikuar ndërmjet vete sa më drejtë.

Në fund të çdo moduli të librit ndodhet kapitulli “Vlerësimi i arritjeve”. Në këta kapituj çdonjërit mund t`i vlerësojë dhe rishikojë njohuritë e veta. Kjo mënyrë e vetëvlerësimit dhe e vlerësimit të praktikantëve është thelbësore gjatë procesit mësimor; ajo po ashtu është e dobishme edhe para fillimit të sezonit, për t`u siguruar se nuk është harruar ndonjë leksion i rëndësishëm mësimor.

FBAK-u nuk pushon së punuari, asnjëherë!

Nuk kam asnjë mëdyshje të konstatoj se, libri do të mirëpritet nga komuniteti ynë bjeshkatar dhe adhuruesit e shumtë të këtij sporti të veçantë. Gjithashtu vlerësoj se ky libër meriton të hyjë në indeksin e librave të preferuar për kadetët dhe pjesëtarët e njësitëve përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Angazhimi dhe puna mbi njëvjeqare, krejtësisht vullnetare, e përkthyesve dhe e redaktorit, kanë qenë thelbësore për realizimin e suksesshëm të këtij projekti madhor.

Një falënderim i veçantë nga përkthyesit i adresohet redaktorit të librit, Mag. Ing. Arben Lila, Kryetar i FBAK-ut, me të cilin ata janë konsultuar në vazhdimësi. “E falënderojmë Kryetarin e FBAK-ut për ndihmën e tij në rishikimin e librit, për punën e tij të palodhshme koordinuese me UIAA-në dhe Fondacionin Petzl, si dhe për kontributin e çmuar të tij që ky libër të dalë në dritë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat