Në pikën kulmore të Masivit të Krujës gjendet ballkoni panoramik 

Alpinizem

Në pikën kulmore të Masivit të Krujës gjendet ballkoni panoramik 

Nga: K.G. Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 16:56
Në pikën kulmore të Masivit të Krujës gjendet ballkoni panoramik 

Alpinistët dhe bjeshkatarët, në çdo vikend sfidojnë veten në vendet e ndryshme jo vetëm në shtetin e Kosovës. Klubi alpin Prishtina paralajmëron sfidën e radhës për fundjavë.. 

“Klubi Alpin Prishtina ju fton të merrni pjesë në aktivitetin së dielës i cili do të zhvillohet në Malin e Krujës dhe Lagunën e Patokut në Shqipëri.  Moti do të jetë i ngrohtë ndërsa organizimi është i karakterit të kombinuar; udhëtim, vizitë, hiking dhe shoqërim. 

Në Krujë mund të vizitohet Pazari i Vjetër, Kalaja dhe muzeumet (Etnografik dhe ai i Gjergj Kastriotit) që ndodhen brenda kështjellës. Pas pjesës kulturore do të vazhdojmë me hiking në shtegun e vjetër drejt Shpellës së Shenjtë të Sari Salltikut, i adhuruar si shenjtor nga bektashinjtë e Ballkanit. Shtegu është përdorur prej gati 8 shekujsh nga pelegrinët, është 2.5 km i gjatë me 600 metra disnivel, i përshtatshëm edhe për fillestarë.

Nga Ballkoni Panoramik i Malit të Krujës mund të shihen Dajti, Priska, Gamti.. por edhe  malësia e Rumijes në Mal të Zi, Velipojë, Laguna e Kunes Lezhë, Kepi i Rodonit, Laguna e Karavastasë e deri në Sazan e Karaburun. Nga lindja shihen edhe Mali i Skënderbeut, Qafështama, mali i Papatit, Mali me Gropa etj. 

Në pikën kulmore të Masivit të Krujës gjendet Ballkoni Panoramik ku do të bëhet një pushim dhe freskim në lokalet e afërta. 
Nga kjo pikë vazhdojmë me autobus drejt Lagunës së Patokut ku do të bëhet një pushim më i gjatë. Në këtë pikë gjeografike takohen kënetat me grykëderdhjen e Lumit Mat, për të krijuar këtë thesar natyror të Shqipërisë. 

Pas vizitës dhe qëndrimit në Patok do të nisemi për në Prishtinë; ndërsa gjatë rrugës do të kemi ndalesa të shkurtëra për kafe dhe pushim”, njofton klubi alpin Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat