Rrëfimi i Alpinistes së Kosovës, se si u ngjit në malin me vdekjeprurës në botë dhe si i la prindërit e sëmurë e në oksigjen!

Alpinizem

Rrëfimi i Alpinistes së Kosovës, se si u ngjit në malin me vdekjeprurës në botë dhe si i la prindërit e sëmurë e në oksigjen!

Nga: K.G. Më: 20 prill 2021 Në ora: 14:16
Uta Ibrahimi

Alpinistja e mirënjohur e Kosovës, Uta Ibrahimi, përmes një letre të hapur, ka rrëfyer peripecitë e saja, sidomos ngjitjen në malin më vdekjeprurës në botë - Annapurna 8091 metra.

Uta nuk e kishte të lehtë që të vendoste, të ngjitet në malin më vdekjeprurës në botë, për faktin se në anën tjetër përballej me halle të mëdha, sidomos prindërit i kishte me Covid 19 dhe në oksigjen.

Trimëresha e Kosovës vendosi për ngjitjen në malin më vdekjeprurës, duke rrezikuar shumë dhe ajo çka është më interesant, e kishte më së të qartë se në çfarë rreziku po futet, e para në një mal me përplot ortekë dhe të papritura tjera përveç erërave deri 200 kilometra në orë.

Image

Sportistët e mëdhenj nuk e kanë fare problem që të sakrifikojnë gjithçka për të arritur më të mirën e mundshme.
   
 “Të dashur njerëz të mirë që jeni interesuar për ecurinë e ngjitjes sime, më në fund, erdha pak në civilizim edhe po mundem me i nda disa fotografi edhe lajmin e mirë të ngjitjes, në majën më të rrezikshme, Annapurna 8091 metra, Nepal- Himalaya, si vazhdimësi e Projektit Utalaya- 14 Majat e Himalayave.

Image

Annapurna me të vërtetë ish mal i madh, shumë i madh e me shumë befasi, sidomos të ortekëve dhe krevasave, ish bash ashtu qysh e lexon nëpër google e libra si mali më i rrezikshëm e me ma së shumti vdekje.

Fillimisht ideja ka qenë me e ngjit shtegun ‘Dutch Ridge’ pak më i lehtë e ma i shkurtër, por për shkak të ndryshimeve në akullnajave, ngjitja është bërë nga gryka franceze - si ma e rrezikshmja deri më tani.
Aklimatizimi në këtë maje ka qenë shumë i vështirë për faktin që kalimi prej Kampit 2 / 5500 metra deri në Kampin 3 / 6500 ka qenë i pamundur me u bë, për faktin e ortekëve të shumta në këtë grykë. 

Aklimatizimin e kemi bërë deri në kampin 2 +200 metra ngjitje dhe kthim në Kamp Bazë e kështu për tu nis drejt tentimit për me e ngjit majën .. e ky ka qenë itinerari i tentimit:

Dita 1: Kampi Bazë në Kamp 2.
Dita 2: Kamp 2 - Kamp 3 / rreth 6 orë, përveç lodhjes në ngjitje teknike, pjerrtësi e akull, pjesë e kombinime edhe me gur e akull, e po ashtu gjithë kohën me frikë se kah cila anë po bien dhe çka po bie.
Dita 3: Kamp 3 aklimatizimin...
Dita 4: Kamp 3 - Kamp 4. 
Dita 5: Tentimi i Parë drejt ngjitjes / kthimi në 7400 m për shkak të mungesës së litarëve
Dita 6: Pas një stuhie e rënies së borës për ma shumë se 60 centimetra edhe kur krejt shpresat na humbën se do ta ngjitem malin, nëna natyrë rreth orës 23.00 e bëni nxehtë, e u hap qielli dhe ja nisi me na pranuar lutjet edhe me filluar ngjitjen drejt Majës Annapurna.

Kam filluar ecjen e vetëm rreth orës 12 në mesnatë, (Sherpa me të cilin kishim bë marrëveshje me më përkrah në ditën e majës, at ditë u sëmu dhe nuk mundi me mu bashkangjitë)  pas disa orë, Viridana ngjitëse nga Meksika dhe Dendi - Sherpa, mu bashkuan dhe kështu vazhduam ngjitjen deri në maje, menjëherë pas ekipit të fiksimit të litarëve, e ngadale, me mot të mirë, e me dritë të diellit, rreth orës 11.00, arritëm tek Maja Annapurna 8091, e kështu valonin flamujt e mi të shpirtit, Kosovë - Shqipëri, e për ta fut vendin tim në librat e Alpinizmit Botëror, e për ti bë njerëzit e mi krenar, për ta plotësuat dëshirën time më të madhe e kontributin për vendin tim.

Image

Kthimi s’ka qenë i lehtë për faktin që në këtë ekspeditë e kam përdor një bocë OX për 18 orë, e që nuk ka qenë e mjaftueshme, mirëpo gjithçka ka shkuar mirë.

Dhe në fund, me datë 18 prill arrita në Kampin Baze nga Kampi 4 / për me festuar edhe me u gëzuar më së shumti në botë që gjithçka shkoj mirë.

Përveç ngjitjes teknike, presionit psikik si mali ma i rrezikshëm, zhurmave të ortekëve gjithë kohës, për mu ka qenë ekspedita ma e vështirë psikike e fizike!

Vendimi për me vazhduar ekspeditën, ka qenë vendimi ma i vështirë në jetë. 

Prindërit e sëmurë me Covid e me oksigjen për 20 ditë, e unë me një mal si Annapurna...
Ka qenë një moment, ku i kam than vetes, mbylli sytë edhe veshtë, ndali krejt komunikimet, edhe lë gjërat me rrjedh lirshëm... e kështu, krejt glrat e gjetën rrugën e vet....

Sot, jam e lumtur që e kam ngjit këtë maje, dy prindërit janë mirë, e gjithashtu unë jam mirë fizikisht dhe psikisht,  e ndoshta gati për të tentuar ngjitje tjetër maje 8000 metërshe

Ah, ka edhe diçka shumë të bukur që po e mbaj me vete ... por deri një kohë tjetër, rrini me kureshtje.
Faleminderit përkrahësit financiar të kësaj ekspedite: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Red Bull Kosova, Fondacioni Utalaya, Familja Begeja, Cros Fit Prishtina dhe X Trailers, sidomos Seven Summit Treks Pvt. Ltd. për organizimin e ekspeditës. Qofshi shëndosh.

Ngjitjet në Himalaya çdo ditë ma shtojnë ka një rrudhë, por secila e ka një tregim në vete”, shkruan Uta Ibrahimi në letrën e hapur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat