SHBA: Fondet për murin në kufi kushtëzojnë financimin e qeverisë

Amerika

SHBA: Fondet për murin në kufi kushtëzojnë financimin e qeverisë

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 08:48
Senati amerikan

Dhoma e Përfaqësuesve nën drejtimin e republikanëve, miratoi mbrëmë një projektligj të përkohshëm shpenzimesh, i cili do t’i jepte Presidentit Donald Trump fondin e kërkuar prej 5 miliardë dollarësh për të ndërtuar murin në kufirin me Meksikën. Presidenti Trump thotë se muri është i nevojshëm për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi mbrëmë vonë me 217 vota pro dhe 185 kundër, për fondin e kërkuar nga Presidenti, me shpresën për të evituar mbylljen e pjesshme të agjencive federale në mesnatën e së premtes. Kjo masë do të prekte rreth 800 mijë punonjës federalë dhe do të pakësonte disa shërbime qeveritare.

Projektligji do t’i shkojë për miratim Senatit, ku nuk ka shanse të miratohet.

Zoti Trump, i cili ka thënë se do ta merrte vetë përgjegjësinë për mbylljen e qeverisë, kërkon 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Ai u tha udhëheqësve republikanë të enjten se nuk do ta nënshkruante një ligj të miratuar nga Senati nëse nuk përfshin financimin e murit.

"Vendi ynë ka shpenzuar triliona dollarë dhe ka sakrifikuar mijëra jetë të rinjsh në mbrojtje të kufijve të vendeve të huaja. Unë po i kërkoj Kongresit mbrojtjen e kufirit të vendit tonë për një pjesë shumë të vogël të kostos. Për sigurinë tonë kufitare është e nevojshme një pengesë fizike e fuqishme, siç është muri,” – tha Presidenti.

Në vend të një muri tradicional, zoti Trump sugjeroi instalimin e barrierave prej çeliku, si një formë pengese kufitare.

Ndërkohë, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, bëri mbrëmë një deklaratë, ku thuhej se Presidenti po vazhdon të shqyrtojë alternativa të ndryshme.

Ndërtimi i murit ishte një nga çështjet më të zëshme gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që i sollën zotit Trump fitoren e Shtëpisë së Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat