Zhvillimet kaotike të kësaj jave në Uashington

Amerika

Zhvillimet kaotike të kësaj jave në Uashington

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 13:10
Presidenti amerikan Donald Trump

Kjo ishte një nga javët më kaotike të presidencës së Donald Trump-it. Një betejë mbi murin kufitar të presidentit, një vendim kyç ushtarak mbi Sirinë dhe dorëheqja e papritur e Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis ishin të gjitha momente kyçe në një javë pasigurie që është bërë një shenjë dalluese e Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjellë hollësitë.

Presidenti Donald Trump këtë javë nënshkruajti në Shtëpinë e Bardhë ligjin për reformën në drejtësi, një moment i mirëpritur në një javë kaotike në Uashington.

"Kemi patur dy ose tre ditë pune intensive. Ishin ditë shumë pozitive. Tani po ndodhin gjëra që nuk kanë ndodhur në qeverinë tonë për një kohë të gjatë", tha Presdienti Trump.

Trump fitoi presidencën duke u zotuar se do t’i bënte gjërat ndryshe.

Por pasiguria mund të sjellë pasoja pas vedimit të Presidentit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, dorëheqjes së Sekretarit të Mbrojtjes dhe rënies së tregut të aksioneve.

"E gjithë kjo pasiguri po shkakton kaos në tregje, kaos jashtë vendit dhe po i bën Shtetet e Bashkuara më pak të begata dhe më pak të sigurta", tha Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Presidenti Trump po mbron vendimin e tij të papritur për të tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe është i vendosur në kërkesën e tij për financimin e murit me Meksikën.

Por për pjesën më të madhe të vendit, kaosi në Uashington duket se po ushqehet nga një ndarje gjithnjë e më e thellë partiake, thotë studiuesja e historisë, Doris Kearns Goodwin.

"Në të kaluarën prindërit shqetësoheshin nëse fëmijët e tyre do të martoheshin me një person nga një fe apo racë tjetër. Por tani më shumë njerëz janë të shqetësuar se fëmijët e tyre mund të martohen me një person nga një parti tjetër politike. Dua të them se është thjesht çmenduri që ne kemi arritur në këtë nivel të politikës partiake. Diçka ka për të ndodhur, do të ketë një lloj ndryshimi."

Dorëheqja e Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis tronditi Uashingtonin dhe vende të tjera në botë, sepse ai shihej si personi më i qëndrueshëm në administratën Trump.

Edhe udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte e tronditur nga dorëheqja e Sekretarit Mattis.

"Ky vend i madh mund të përballojë pothuaj çdo gjë, por nuk duhet të vihet në ketë situatë."

Largimi i Sekretarit Mattis konsiderohet i rëndësishëm nga të dyja palët, thotë Julie Pace.

"Ai konsiderohej si njeriu më i pjekur në dhomë, i cili mund t'i tregonte Presidentit Trump kur mendonte se e kishte gabim. Ai nuk kishte frikë të shprehte mendimet që binin ndesh me ato të Presidentit Trump, dhe më i rëndësishëm ishte fakti që Presidenti Trump e dëgjonte atë."

Më shumë trazira mund të jenë në horizont. Muajin e ardhshëm, demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, dhe janë zotuar se të bllokojnë agjendën e Presidentit Trump dhe do të hetojnë akuzat për shkelje brenda administratës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat