Dorëhiqet i dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin global që lufton ISIS-in

Amerika

Dorëhiqet i dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin global që lufton ISIS-in

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 16:22
Brett McGurk

I dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin global që lufton Shtetin Islamik, Brett McGurk, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj vendimit të papritur të Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.

Departamenti i Shtetit tha në njoftimin e tij të shtunën, se dorëheqja e zotit McGurk do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor.

Në një email drejtuar stafit të tij dhe që u pa nga Associated Press, McGurk shkruan: "Vendimi i fundit i presidentit erdhi si një tronditje dhe ishte një ndryshim i plotë i politikës. Ai i la partnerët tanë të koalicionit të hutuar dhe të konfuzuar pa një plan apo konsideratë për pasojat''

Trump shkroi në Twitter përgjigjen e tij ndaj dorëheqjes duke thënë: "Brett McGurk, i cili nuk e di, është emëruar nga Presidenti Obama në vitin 2015. Ai duhej të largohej në shkurt, por sapo dha dorëheqjen para se të largohej. Mediat e rreme po bëjnë shumë zhurmë për këtë ngjarje që s’është asgjë! "

McGurk bashkohet me Sekretarin e Mbrojtjes James Mattis si zyrtari më i fundit i sigurisë kombëtare me përvojë që do të largohet nga administrata Trump në javët e fundit.

Largimet e McGurk dhe Mattis erdhën pasi Trump deklaroi këtë javë se Shteti Islamik ishte mposhtur dhe se 2000 trupat amerikane në Siri do të ktheheshin në atdhe./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat