Vdekjet e dy fëmijëve në qendrat e ndalimit të imigrantëve

Amerika

Vdekjet e dy fëmijëve në qendrat e ndalimit të imigrantëve

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 08:11
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen viziton sot dhe nesër viziton kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, pas vdekjes kohët e fundit të dy fëmijëve nga Guatemala, që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara me njërin prind. Vdekjet ndodhën pikërisht në kohën kur ekziston një debat i ndezur lidhur me sigurinë kufitare dhe në kushtet kur qeveria amerikane është pjesërisht e mbyllur, si pasojë e këmbënguljes së Presidentit Donald Trump për financimin e murit në kurifin me Meksikën.

Autoritetet thonë se djali 8-vjeçar Felipe Gomez Alonzo, vdiq pak pas mesnatës ditën e Krishtlindjes, vetëm disa orë pasi 7-vjeçarja Jakelin Caal ishte çuar të prehej në fshatin e saj të varfër, në Guatemalë.

Javën e kaluar, ligjvënësit demokratë cituan vdekjen e vajzës së vogël për t’i bërë presion Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen, që të kujdeset për njerëzit që mbahen të ndaluar në kufi.

"Dëgjova të komentonit për vdekjen e vajzës. Nuk po kërkoj se për sa vdekje mbani përgjegjësi. Dua të më premtoni se nuk ka për të patur vdekje të tjera, përsa kohë që ju jeni aty,”- tha ligjvënësja demokrate Pramila Japapal.

"Ju siguroj që në të gjitha qendrat e ndalimit, imigrantëve u kushtohet kujdesi i duhur,”- tha sekretarja Nielsen.

Zonja Nielsen tha se kishte dhënë orjentim për marrjen e disa masave të jashtëzakonshme për mbrojtjen e imigrantëve, përfshirë analiza të reja mjekësore për fëmijët.

Autopsia tregoi se 8-vjeçari Felipe Gomez Alonzo kishte qenë me grip kur vdiq në Qendrën Kufitare në shtetin jugperëndimor të Nju Meksikos.

Megjithatë, mjekët thanë se do të duhet të bëhen analiza të tjera për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Ndërkohë, mbetet e paqartë sëmundja që shkaktoi vdekjen e vajzës 7-vjeçare Jakelin Caal. Agjentët amerikanë të imigracionit thanë se para se të mbërrinte në kufirin amerikan me të atin, i cili po vinte për të punuar në Shtetet e Bashkuara, vajza nuk ishte ushqyer si duhet. I ati tha se kjo nuk kishte qenë e vërtetë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat