Viti 2019 e gjen qeverinë federale pjesërisht të mbyllur

Amerika

Viti 2019 e gjen qeverinë federale pjesërisht të mbyllur

Më: 2 janar 2019 Në ora: 07:55
Qeveria

Mbyllja e pjesshme e qeverisë federale amerikane hyri në ditën e 11-të, ndërkohë që filloi viti 2019. Ligjvënësit dhe Presidenti Trump ende nuk po bien dakord lidhur me kërkesën e presidentit për fonde për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se kur të marrin kontrollin e Dhomës të enjten, do të miratojnë menjëherë një ligj për rihapjen e operacioneve në dikasteret e mbyllura që nga 22 dhjetori, megjithëse vështirë të parashikohet nëse ligji do të miratohet në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Projekt-buxheti i demokratëve nuk ka fonde për ndërtimin e murit, gjë që është kritikuar ashpër nga presidenti.

Presidenti përshëndeti amerikanët përmes Twitterit, në një koment të shkruar në shkronja të mëdha, duke thënë se viti i ri do të shkonte mirë nëse njerëzit nuk ishin të fiksuar pas dëshirës për t’iu kundërvënë atij:

"GËZUAR VITIN E RI TË GJITHËVE, PËRFSHIRË ATYRE QË USHQEJNË URREJTJE, MEDIAS SHPIFËSE! 2019 DO TË JETË VIT FANTASTIK PËR TË GJITHË ATA QË NUK VUAJNË NGA SINDROMA PËR TË KRITIKUAR TRUMPIN,” shkruante presidenti.

Projekt-buxheti i demokratëve parashikon fonde për të financuar pjesën më të madhe të agjencive deri në fund të shtatorit, ndërsa për Departamentin e Sigurisë Kombëtare ka fonde deri më 8 shkurt.

Presidenti ka vazhduar thirrjet për një fond prej 5 miliardë dollarësh si këst i parë për ndërtimin e murit, që mund të kërkojë një shumë totale prej 20 miliardë dollarësh. Demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë për mbrojtjen kufitare, por jo për murin.

Presidenti reagoi përmes Twitterit, duke shkruar “Pa mur, nuk ka Siguri Kufitare”.

Demokratja Nancy Pelosi, e cila do të marrë detyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, nxorën dje një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë mbështetjen e republikanëve për propozimin e tyre.

Presidenti dhe ligjvënësit demokratë nuk kanë zhvilluar negociata prej ditësh. Mbyllja e pjesshme e qeverisë ka prekur 380 mijë punonjës federal, të cilët nuk mund të vijnë në punë, ndërsa 420 mijë të tjerë vazhdojnë punën por mund të mos paguhen në kohë deri kur të zgjidhen mosmarrëveshjet mes palëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat