Vazhdojnë diskutimet ndërsa qeveria amerikane vazhdon e mbyllur

Amerika

Vazhdojnë diskutimet ndërsa qeveria amerikane vazhdon e mbyllur

Më: 6 janar 2019 Në ora: 17:25
SHBA

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit vazhdojnë sot diskutimet rreth mënyrës se si t’i japin fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, e cila po ndikon tek mijëra punonjës federalë dhe po shkakton vonesa dhe vështirësi për qytetarët amerikanë. Mbyllja e qeverisë amerikane është tashmë në javën e tretë.

Thelbi i diskutimeve është për sigurinë kufitare. Presidenti Donald Trump këmbëngul për një fond prej 5.6 miliardë dollarësh për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën për të bllokuar hyrjen e emigrantëve pa dokumenta.

Demokratët e Kongresit janë zotuar të mos miratojnë fonde për ndërtimin e murit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka quajtur murin “të pamoralshëm”.

Presidenti Trump njoftoi përmes Twitter-it se do të shkonte në Camp David për të diskutuar me stafin çështjet e sigurisë kufitare. Në vazhdim botoi një poster ku ai shfaqet pas sfondit të një gardhi të hekurt kufitar dhe me mbishkrimin me gërma kapitale “MURI PO VJEN”.

Bisedimet që u zhvilluan të shtunën u mbyllën pas disa orësh pa arritur progres.

Këshilltari i Lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndër i Presidentit, Jared Kushner, si dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, ishin gjithashtu të përfshirë në takime. Demokratët kërkuan të dhëna të detajuara për nevojat buxhetore të kësaj agjensie, për të cilat Shtëpia e Bardhë premtoi se do t’i përgatisë.

Nënpresidenti Mike Pence, i cili gjithashtu mori pjesë në takimin e së shtunës, i përshkroi diskutimet si “produktive”.

Por, vetëm pak më vonë, Presidenti Trump reagoi duke shkruar në Twitter se “nuk pati progres sot” dhe duke njoftuar se do të vazhdonte të dielën takimi i dytë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh përmes një deklarate se “pasiguria e pakuptimtë dhe kaosi i mbylljes së qeverisë nga Presidenti Trump duhet të mbarojë, tani”. Ajo informoi se demokratët do të fillojnë miratimin e ligjeve individuale për financimin e agjensive federale, duke filluar me financimin e Agjensisë së Taksave, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin rimbursimin nga taksat që kanë paguar gjatë vitit.

Presidenti Trump ka kërcënuar se do të anashkalojë Kongresin dhe do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të ndërtuar murin kufitar. Deri më tani, rreth 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar nga puna, ose janë të detyruar të punojnë pa pagesë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat