Sa shpejt e ngarkon një avion kompania postare FedEx

Amerika

Sa shpejt e ngarkon një avion kompania postare FedEx

Më: 7 janar 2019 Në ora: 07:05
FedEx

Në Shtetet e Bashkuara disa qindra avionë privatë transporti transportojnë miliona pako në vit. Qendra e madhe e kompanisë FedEx në Memfis të shtetit Tenesi punon 24 orë në ditë për përpunimin dhe dërgimin në kohë të pakove postare për klientët e saj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets shkoi në Memfis për të mësuar se cila pjesë e ditës është më e ngarkuara për ekipin kompanisë postare FedEx dhe sa shpejt e ngarkojnë ata një avion.

Kjo është qendra e kompanisë FedEx në Memfis, që mbulon një sipërfaqe prej rreth katër kilometrash katrorë.

Për këtë kompani postare private, nata është koha më intensive e punës.

“Në fakt ne e quajmë këtë "Bota e Memfisit" sepse ajo është e lidhur me të gjitha rrjetet tona nëpër botë”, thotë Walter Kirkeminde, menaxher i qendrës së kompanisë FedEx në Memfis.

Pak pas orës 10:00 avionët fillojnë të ulen, njëri pas tjetrit.

"Ky është fillimi i gjithë procesit. Ju mund të shihni se si avioni transportues 767 është duke u shkarkuar. Punonjësit e FedEx-it janë duke ulur kontenierët në tokë, për të bërë klasifikimin e pakove brenda tyre", thotë Rick Armstrong, punonjës i kompanisë FedEx.

Një ekip zakonisht përbëhet nga rreth 12 njerëz, të cilët për 30 minuta duhet të shkarkojnë më shumë se 50 tonë ngarkesë.

Për shkak se klasifikimi ndodh pranë avionëve, zhurma është shurdhuese dhe të gjithë punonjësit duhet të përdorin kufje speciale.

Ata përdorin gjestet për të komunikuar me njëri-tjetrin.

"Ata punojnë si një ekip dhe lëvizin shpejt nga një aeroplan tek tjetri", thotë Rick Armstrong, punonjës i kompanisë FedEx.
Kontejnerët e mëdhenj janë të pajisur me rrota për ta bërë më të lehtë lëvizjen e tyre.

Hapi tjetër është ngarkimi i pakove në rripin e klasifikimit. Më shumë se 10 mijë punonjës punojnë këtu.

Detyra e tyre kryesore është vendosja e pakove në rripin e transportuesit me kodin identifikues.

Pastaj një skaner lexon kodin dhe merr informacionin për peshën dhe dimensionet e një pakoje si dhe destinacionin e saj përfundimtar.

"Qendra përpunon rreth 1.4 milionë pako në natë, ky është numri i pakove që vijnë këtu çdo natë. Rreth 700,000 pako vijnë gjatë ditës. Pra, të gjitha këto pako përpunohen këtu dhe pastaj ngarkohen përsëri në aeroplanët transportues", thotë zoti Kirkeminde.

Një ekip për 20 minuta duhet të ngarkojë një kontenier me pakot e klasifikuara.

FedEx mund të transportojë çdo gjë, madje edhe kafshët. Në fakt, FedEx transportoi pandat nga kopshti zoologjik i Uashingtonit në Kinë.

Fokat dhe arinjtë kanë qenë në listën e pasagjerëve të këtyre aeroplanëve transportues.

"Çdo gjë që mund të hyjë përmes derës së një aeroplani, ne ndoshta mund ta transportojmë për ju", thotë zoti Kirkeminde.

Flota e FedEx-it përbëhet nga më shumë se 650 avionë. Secili prej tyre mban emrin e një fëmije të një punonjësi të FedEx-it.

"Kjo filloi me aeroplanin tonë të parë të emëruar pas vajzës së presidentit tonë dhe pastaj, ajo ka vazhduar gjatë gjithë viteve të operacionit", thotë zoti Kirkeminde.

Pas uljes së aeroplanit të fundit, turni i natës përfundon orarin herët në mëngjes. Deri atëherë, të gjitha pakot janë klasifikuar dhe janë nisur për në destinacionet e tyre. Punëtorët kthehen në shtëpi për t'u çlodhur dhe bëjnë të njejtën gjë kur kthehen në punë në turnin pasues të natës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat