Vazhdojnë hetimet rreth çështjes Manafort

Amerika

Vazhdojnë hetimet rreth çështjes Manafort

Më: 10 janar 2019 Në ora: 07:47
Paul Manafort

Paul Manafort, i cili kryesoi fushatën presidenciale të zotit Donald Trump për disa muaj në vitin 2016, ndau të dhënat e votimit në fushatë me një bashkëpunëtor që kishte lidhje me inteligjencën ruse, thuhet në një dosje gjyqësore amerikane. Ky njoftim u shtohet provave në rritje se fushata e zotit Trump mund të jetë përpjekur të koordinohet me rusët gjatë garës presidenciale, megjithëse prokurorët federalë ende nuk kanë përmendur ndonjë rast që të tregojë se ka pasur komplot.

Juristët pranë prokurorit të posaçëm Robert Mueller që kryen hetimet thonë se Manafort i gënjeu ata mbi shkëmbimet e informacioneve me rusët. Manafort megjithatë e mohon akuzën për marrëdhëniet e tij me ish-partnerin e biznesit Konstantin Kilimnik, një ukrainas i akuzuar nga prokurorët për lidhje me zbulimin rus. Manafort tha se ai thjesht kishte harruar detajet, duke fajësuar atmosferën kaotike të fushatës.

Ekipi i zotit Mueller po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe pretendimet e reja kundër Manafortit ngrenë mundësinë që informacioni që ai ofroi i ndihmoi përpjekjet e Rusisë. Zbulimi amerikan vlerëson se Rusia ka punuar për të minuar zgjedhjet me një preferencë të qartë që kandidati Trump të fitonte.

Prokurorët, të cilët gjithashtu po shqyrtojnë nëse zoti Trump, si president, u përpoq të pengonte në mënyrë të paligjshme hetimin, pretendojnë se Manafort gënjeu për të paktën pesë çështje, përfshirë lidhjen e tij me ukrainasin Kilimnik.

Informacioni i parë të martën ishte pjesë e paraqitjes që bënë avokatët e Manafortit ku thuhej se Manaforti gënjeu për ndarjen e të dhënave politike të votimit me Kilimnik ndërsa punonte në fushatën Trump. Këto të dhëna nuk njiheshin më parë, në një dokument të paraqitur më 7 dhjetor nga ekipi i Muellerit.

Kilimnik, i cili është akuzuar nga prokurori i posaçëm Mueller për pengim të drejtësisë për dyshimin se u përpoq të ndikojë te dëshmitarët e çështjes Manafort, ka mohuar lidhjet me kundërzbulimin rus.

Rusia ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje, ndërsa presidenti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet.

Avokatët e Manafortit gjithashtu thonë në dosje se çdo gabim i Manafortit në dëshminë para prokurorëve ishte i paqëllimtë dhe se ai nuk do t’i kundërshtojë thëniet e prokurorëve se ka gënjyer.

Prokurorët thanë në nëntor se Manafort kishte pohuar shumë gjëra që nuk ishin të vërteta gjatë 12 seancave të marrjes në pyetje, edhe pse kishte rënë dakord të bashkëpunonte me hetimin.

Prokurorët thonë se 69-vjeçari Manafort, i përballur me burgim, kishte shkelur marrëveshjen e bashkëpunimit që u arrit kur ai u shpall fajtor për mashtrimin e autoriteteve tatimore duke shkelur ligjet federale të lobimit dhe duke penguar drejtësinë në lidhje me përpjekjet e tij lobuese gjatë kohës së rrëzimit të udhëheqësit ukrainas Viktor Janukoviç në vitet para se ai të punonte në fushatën Trump.

Në dosjen e gjykatës zbuluar të martën, avokatët e Manafortit vendosën të mos kundërshtojnë akuzat se Manafort gënjeu dhe i kërkuan gjykatësit që të mos i ndryshonin planet për seancën e dënimit të Manafortit në javët e ardhshme. Manaforti u dënua gjithashtu gjatë verës së kaluar për krime financiare në një gjyq në Virxhinia pranë Uashingtonit.

Avokatët thanë se Manafort vuante nga ankthi dhe depresioni dhe nuk gënjeu me dashje. Mbrojtja kundërshton përfundimin e prokurorisë se Manafort gjënjeu, dhe thotë se gënjeshtrat nuk ishin të qëllimshme.

Përveç fitores në çështjen kundër Manafortit, Robert Mueller dhe prokurorët e tjerë federalë kanë në duar edhe kërkesa për pranim fajësie për shkelje të ndryshme nga ish-këshilltari i parë i sigurisë së presidentit Trump, Michael Flynn, ish-ndihmësi i fushatës Rick Gates, ish-këshilltari i politikës së jashtme George Papadopoulos dhe avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat