Guaido po konsideron mundësinë e amnistimit të Maduros

Amerika

Guaido po konsideron mundësinë e amnistimit të Maduros

Më: 25 janar 2019 Në ora: 11:23
Juan Guaido dhe Nicolas Maduro

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, ka thënë se ai do të konsiderojë amnisti për presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro, nëse ky i fundit lë pushtetin.

Guado, që ka shpallur veten president të përkohshëm të Venezuelës ditën e mërkurë, ka thënë se ai është duke synuar të arrijë te të gjithë sektorët, duke përfshirë ushtrinë, për t’i dhënë fund krizës.

Guado dhe aleatët e tij akuzojnë Maduron për fitore të pushtetit përmes një procesi zgjedhor mashtrues.

“Sfida jonë është që të sigurojmë zgjedhje të reja dhe i duam ato sa më shpejt që është e mundur. Mirëpo ne jemi duke jetuar në diktaturë”, ka thënë Guaido për televizionin Univision.

Më parë ai është deklaruar për këtë çështje edhe për Financial Times duke thënë se “askush nuk dëshiron të jetojë kështu. Pavarësisht politikës, njerëzit jetojnë pesë apo gjashtë muaj pa ujë në shtëpitë e tyre, pa ilaçe, pa të holla të mjaftueshme për të blerë ushqim”.

Duke diskutuar mundësinë e amnistisë për Maduron, Guaido ka thënë se një hap i ngjashëm ka pasur rol në tranzicionin demokratik të Kilit.

“Këto amnisti janë në tavolinë për të gjithë ata që janë të gatshëm për të rikthyer rregullin kushtetues”, ka thënë ai.

Ai është zotuar për të mbajtur zgjedhje të reja “në mënyrë që të tejkalohet kriza”.

Ai ka thënë më parë se disa pika të Kushtetutës i lejojmë atij që të ketë pushtet përkohësisht sepse procesi zgjedhor është mashtrues.

Protestat kundër Maduros kanë nisur të mërkurën në Venezuelë.

*Video: Protestat në Venezuelë

Në njërën prej protestave në Karakas, Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm.

Brenda pak minutave, presidenti amerikan, Donald Trump i ka njohur legjitimitetin Guaidos si lider i shtetit.

Ai ka thënë se “të gjitha mundësitë janë duke u shqyrtuar” si përgjigje ndaj gjendjes në Venezuelë.

Vendimi i Trumpit është mbështetur nga shumë aleatë, duke përfshirë disa kombe të Amerikës Jugore, më pas Kanadaja dhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka kërkuar takim të shtunën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se administrata e Trumpit është duke punuar në një plan për të siguruar fonde për Guaidon.

Maduro në anën tjetër i ka konsideruar komentet nga SHBA-ja “provokim i madh” dhe ka shkëputur lidhjet diplomatike me këtë shtet.

Të enjten ai ka urdhëruar mbylljen e ambasadës dhe konsullatave të Venezuelës në SHBA.

SHBA-ja në anën tjetër ka kërkuar nga një pjesë e stafit që të largohet nga Venezuela.

Mirëpo, Rusia e ka dënuar mbështetjen e huaj për Guaidon, duke thënë se një gjë e tillë shkel ligjin ndërkombëtar dhe është “rrugë që çon në përgjakje”.

Kina, Meksika dhe Turqia, po ashtu kanë shfaqur mbështetje për Maduron.

Maduro ka nisur mandatin e dytë si president, pas mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat janë bojkotuar nga opozita.

Ai ka udhëhequr shtetin prej vitit 2013 dhe është betuar për mandatin e dytë të presidentit më herët gjatë këtij viti.

Maduro është përballur me kritika të vazhdueshme ndërkombëtare si dhe nga opozita e brendshme sa i përket të drejtave të njeriut dhe menaxhimit të ekonomisë.

Kjo pasi, Venezuela, ndonëse ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, ekonomia e saj ka qenë buzë falimentimit për vite të tëra.

Si pasojë e hiper-inflacionit dhe mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, mijëra banorë të këtij shteti janë detyruar të largohen.

Partnerët strategjikë të Venezuelës mbesin Kina dhe Rusia, të cilat kanë investuar në ekonominë e këtij shteti, duke u dhënë autoriteteve shuma të mëdha të të hollave përmes marrëveshjeve tregtare apo kredive.

Përveç tjera, Moska e konsideron Venezuelën edhe si një prej aleatëve më të ngushtë në rajon./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat