Venezuelë: Gjykata ia ndalon Guaidos largimin nga vendi

Amerika

Venezuelë: Gjykata ia ndalon Guaidos largimin nga vendi

Më: 30 janar 2019 Në ora: 08:50
Juan Guaido

Gjykata Supreme në Venezuelë ka urdhëruar ndalim-udhëtimin për liderin e opozitës, i njohur si president i përkohshëm nga SHBA-të dhe disa vende tjera, Juan Guaido si dhe ka ngrirë llogaritë e tij bankare.

Masa e Gjykatës është marrë pasi Guaido e shpalli veten president i përkohshëm gjatë javës së kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera e shpallën jolegjitim presidentin Nicolas Maduro.

Uashingtoni ka vënë sanksione ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë, një burim i rëndësishëm i të ardhura në vendin me ekonomi të shkatërruar.

Më 29 janar, prokuroria në Venezuelë akuzoi Guaidon se ka ndihmuar vendet e huaja të ndërhyjnë në çështjet e brendshme dhe i kërkuan Gjykatës së Lartë ta hetonte atë.

Gjykata, e cila përbëhet nga besnikët e Maduros, u pajtua me kërkesën, duke ndaluar atë të largohet nga vendi dhe duke ia ngrirë llogaritë bankare.

Kjo nxiti një vërejtje të ashpër nga Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-ve, John Bolton, i cili paralajmëroi për "pasoja të rënda për ata që përpiqen të shkatërrojnë demokracinë dhe të dëmtojnë Guaidon".

Ndërkohë, në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro përsëriti se ishte i gatshëm për bisedime me opozitën "për hir të paqes dhe të ardhmes së saj", me pjesëmarrjen e ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Sipas agjencisë ruse "Sputnik" ai gjithashtu falënderoi homologun e tij rus, duke thënë se Vladimir Putin "na jep mbështetje në të gjitha nivelet".

Rusia është zotuar të mbështesë presidentin e kontestuar Nicolas Maduro dhe e kritikoi Uashingtonin për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin për "vendosjen e një kursi për ndryshimin e regjimit në mënyrë të paligjshme".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat