SHBA nis ndihmat për Venezuelën, me kërkesë të Guaido

Amerika

SHBA nis ndihmat për Venezuelën, me kërkesë të Guaido

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 06:40
Juan Guaido, Nicolas Maduro

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar nisjen e ndihmave për Venezuelën e goditur rëndë nga kriza, pas një kërkese të Juan Guaidó, kreut të opozitës që u vetëdeklarua president i përkohshëm i vendit.

Lëvizja e Guaidós, muajin e kaluar, fitoi menjëherë mbështetjen e Amerikës dhe të tjerëve, por shkaktoi një betejë të fuqishme për pushtet. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro e ka akuzuar atë se po ndërmerr një “grusht shteti” dhe vijon të ketë pas vetes mbështetjen e disa prej aleatëve të fuqishëm ndërkombëtarë.

Ndër vendet që kanë njohur Guaidón si president të përkohshëm është edhe Shqipëria, duke u rreshtuar në krah të Shteteve të Bashkuara këtë herë, e jo në krah të Bashkimit Europian, siç ndodhi në vendimin për të mos njohur Jeruzalemin, kryeqytet të Izraelit.

Por, ai vet e ka refuzuar ofertën e Shteteve të Bashkuara, me justifikimin se ajo është pikënisje për ndërhyrje ushtarake. E shtuna pa mijëra venezuelas të dilnin në rrugët e kryeqytetit Karakas, për të protestuar në mbështetje të të dyja palëve, Maduros dhe Guaidós.

Maduro ruan ende mbështetjen e ushtrisë, diçka tejet e rëndësishme kjo, por vetëm pak përpara demonstratave, Guaidó mori një shtysë të mëtejshme, pasi një gjeneral i Forcave Ajrore, Francisco Yanez, u bë zyrtari më i lartë ndër radhët e ushtrisë që zotohej për mbështetjen e udhëheqësit të opozitës.

Guaidó tha se ka zhvilluar takime sekrete me ushtrinë për të fituar mbështetjen e tyre për rrëzimin e Maduros, e gjithashtu ka komunikuar me Kinën, një prej mbështetësve më të rëndësishëm të Maduros.

Por si do të funksionojë shpërndarja e ndihmave, duke ditur se Guaidó nuk kontrollon asnjë pjesë të territorit në Venezuelë? Ai thuhet se po planifikon ngritjen e qendrave të grumbullimit dhe shpërndarjes në vendet fqinje, ku venezuelasit kanë emigruar kohët e fundit. Ai tha se dëshironte të krijonte një koalicion ndërkombëtar për të mbledhur ndihmat në tri pika, e të ushtronin presion ndaj ushtrisë së Venezuelës që të lejonte hyrjen e tyre në vend.

Maduro ka refuzuar pranimin e ndihmës, duke u thënë mbështetësve të tij se “ne as nuk kemi qenë dhe as nuk kemi për të qenë vend lypsarësh”.

Ndërkohë, në intervistën për “CBS”, të transmetuar këtë të dielë, Trump ripërsëriti faktin se ndërhyrja ushtarake mbetej një “opsion” në tryezë, pavarësisht se Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton e ka mohuar këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat