SHBA, negociatorët e Kongresit arrijnë kompromis për imigrimin

Amerika

SHBA, negociatorët e Kongresit arrijnë kompromis për imigrimin

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 16:41
Ilustrim

Në Kongresin amerikan, negociatorë nga të dyja partitë arritën mbrëmë një marrëveshje në parim, për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë në fund të javës.

Sipas tyre, marrëveshja përfshin rreth 1,4 miliard dollarë për të ndërtuar 88 kilometra barriera të reja në kufirin me Meksikën.

Ajo parashikon gjithashtu përmirësime teknologjike për skanimet në pikat e hyrjes kufitare, si dhe rrit numrin e doganierëve e të ndihmave humanitare.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar 5.7 miliardë dollarë për një mur në kufi. Mbrëmë, në El Paso të Teksasit, ai përsëriti kërkesën për murin, që është bërë shkak për ngërçin mes tij dhe demokratëve të Kongresit.

Ndërkohë, në kufi, numri i madh i azilkërkuesve po e mban të tensionuar situatën.

Presidenti Trump thotë se çështja është te krimi. Ai krahasoi numrin e vrasjeve në të dy anët e kufirit:

"Këtë vit, në Juarez të Meksikës ka patur 1,200 vrasje, ndërsa në El Paso, në anën tonë të kufirit vetëm 23".

Ai thotë se është pikërisht muri që e ka mbajtur El Pason të sigurt, edhe pse kryebashkiaku i qytetit nuk është dakord.

Presidenti thotë se kriminelët janë ndër ata që kalojnë kufirin dhe hyjnë në Amerikë, prandaj administrata ka filluar t’i detyrojë azilkërkuesit të presin në Meksikë derisa rastet e tyre të shqyrtohen. Por ardhja e emigrantëve ka vazhduar.

Në bregun e Paqësorit, në Tijuana të Meksikës, janë njëzet objekte që strehojnë emigrantët, të cilët përfshijnë një numër haitianësh që jetonin në Venezuelë dhe kanë ikur për shkak të kaosit. Kjo po i shterron mundësitë e Tijuanës, thotë Hugo Castro një punonjës ndihmash:

"Nëse marrim të gjithë të deportuarit së bashku, meksikanët e zhvendosur, haitianët, afrikanët që po mbërrijnë gjithashtu, është e vështirë t'u sigurohet atyre strehë".

Kërkesa e Presidentit Trump për një mur është zbatuar në disa segmente kufitare në jug të San Diegos. Është një barrierë më shumë se pesë metra e lartë.

"Është një barrierë prej nga mund të shikosh në anën tjetër, kështu që agjentët e Patrullës Kufitare janë në gjendje të shohin se çfarë ndodh në anën jugore," shpjegon Tekae Michael, agjente e patrullimit kufitar.

Ajo thotë se muri i ri mund të parandalojë shkelje të tilla si ajo që ndodhi në nëntor në një pjesë që nuk ishte përmirësuar.

Në Uashington, republikanët dhe demokratët po punojnë për hollësitë e një kompromisi. Demokratët kanë ofruar fonde për sigurinë e kufirit, por shumë më pak se ajo që ka kërkuar Presidenti Trump për ngritjen e një muri.

Presidenti nuk ka deklaruar publikisht se çfarë niveli financimi do të pranonte si kompromis për ndërtimin e një barriere përgjatë një pjese relativisht të vogël të kufirit prej 3,200 kilometrash me Meksikën.

Ndërkohë, në Tijuana dhe qytete të tjera kufitare meksikane, azilkërkuesit presin dhe shpresojnë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat