SHBA, një hap drejt ndërprerjes së ndihmës ushtarake për Arabinë S.

Amerika

SHBA, një hap drejt ndërprerjes së ndihmës ushtarake për Arabinë S.

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 09:27
Uashington

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara votoi për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake amerikane për luftën e Arabisë Saudite në Jemen.

Ky veprim u cilësua si sfidues ndaj presidentit Donald Trump, i cili vazhdon mbështetjen e palëkundur për Arabinë Saudite, edhe pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Lufta katëvjeçare në Jemen ka lënë të vrarë mijëra civilë dhe ka shkaktuar uri.

Votimi me 248 vota për dhe 177 kundër i bën tani presion Senatit, të kontrolluar nga republikanët, për t’u përgjigjur.

Tetëmbëdhjetë repiblikanë – shumica konservatorë – votuan me shumicën demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse rezoluta për Jemenin kalon edhe në Senat, ajo mund ta detyrojë presidentin Trump të lëshojë veton e parë në presidëncën e tij.

Republikanët e Trumpit tashmë kanë shprehur pakënaqësi edhe për çështje të tjera të politikës së jashtme, si: planet e presidentit për tërheqje të trupave nga Siria dhe Afganistani dhe kërcënimet e tij për tërheqjen e SHBA-së nga NATO-ja.

Khashoggi, kolumnist i gazetës Washington Post, i cili ka qenë kritik i familjes mbretërore saudite, është vrarë në muajin tetor, pasi ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.

Ka pasur raporte se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ka urdhëruar direkt vrasjen.

Sauditët kanë akuzuar 11 vetë për rastin, por mohojnë se princi i kurorës është i përfshirë.

Arabia Saudite është aleatja më e ngushtë e SHBA-së në rajon.

Trump e ka përshkruar atë si një "aleat jetësor" dhe i ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë, për shkak të vrasjes së Khashoggit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat