Maduro mbyll kufijtë për të bllokuar ndihmat

Amerika

Maduro mbyll kufijtë për të bllokuar ndihmat

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 15:25
Presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro

Presidenti i sfiduar i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi për mbylljen e kufirit me Brazilin, për të bllokuar ndihmat humanitare.

“Kufiri me Brazilin do të mbyllet plotësisht dhe absolutisht deri në njoftimin e radhës”, tha Maduro.

Udhëheqësi i majtë tha në një fjalim televiziv se po shqyrton mbylljen e kufirit edhe me Kolumbinë për të ndaluar opozitën që të fusë ndihma.

Maduro mohon se në Venezuelë ka krizë humanitare. Ai tha se dërgimi i ndihmave është “një shfaqje e orkestruar e Shteteve të Bashkuara” dhe përpjekje e tyre “për të uzurpuar rezervat e naftës në Venezuelë”.

Dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.

Guaido e ka shpallur veten lider të përkohshëm gjatë protestave antiqeveritare në Venezuelë, muajin e kaluar.

Menjëherë pas njoftimit të Maduros për mbylljen e kufirit, shumë qytetarë të Venezuelës nxituan drejt qytetit brazilian Pacaraima për t’u furnizuar me ushqime.

Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, është kritikuar brenda dhe jashtë vendit për ekonominë e dobët në Venezuelë.

Image
Një avion amerikan me ushqime dhe ilaçe për popullin e Venezuelës në aeroportin në Cucuta të Kolumbisë.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi tre milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela viteve të fundit, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.

Një autokolonë e ligjvënësve të opozitës në Venezuelë është nisur nga kryeqyteti Karakas, për të udhëtuar rreth 800 kilometra, drejt kufirit me Kolumbinë.

Guaido dhe aleatët e tij shpresojnë të mbledhin ndihma me ushqime dhe ilaçe, pavarësisht kundërshtimeve të Maduros. Guaido tha se 600,000 vullnetarë janë paraqitur për të ndihmuar bartjen e ndihmave të shtunën nga kufiri me Brazilin.

Ushtria e Venezuelës, deri më tani, ka arritur t’i bllokojë ndihmat amerikane që mbërrijnë nga kufiri me Kolumbinë.

Një avion amerikan me ushqime dhe ilaçe për popullin e Venezuelës në aeroportin në Cucuta të Kolumbisë.

Venezuela më herët e ka mbyllur kufirin detar dhe ajror me Kuraçaon, një ishull në Karaibe, jashtë bregut verior të Venezuelës, i cili planifikon t’i mbledhë ndihmat amerikane për Venezuelën.

Pavarësisht mohimit të krizës humanitare, Maduro ka njoftuar këtë javë se 300 tonelata ndihma do të transportohen në Venezuelë nga Rusia.

Maduro vazhdon të ketë mbështetjen e ushtrisë, e cila u ka rezistuar thirrjeve për dalë në përkrahje të Guaidos.

Megjithatë, të enjten, ish-shefi i inteligjencës ushtarake, Hugo Carvajal, e ka njohur udhëheqësin e opozitës si “president në detyrë”.

Në një video-adresim, të postuar online, ai iu drejtua Maduros:

“Ju keni vrarë qindra të rinj në rrugë që kanë bërë përpjekje t’i fitojnë të drejtat që ju i keni vjedhur – pa llogaritur të vdekurit nga mungesa e barnave dhe e sigurisë”, tha Carvajal.

Ai i bëri thirrje ushtrisë që t’i shkëpusë lidhjet me presidentin dhe t’i lejojë ndihmat humanitare në Venezuelë.

Në një tjetër zhvillim, ndihmësit e Guaidos në Uashington thanë se 11 diplomatë të Venezuelës, me seli në SHBA, kanë dezertuar dhe kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Guaidon./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat